Giacomo Vrioni dhe Frederic Veseli janë dy lojtarët e radhës te Shqipëria që janë paraqitur në konferencë për media. Dy futbollistët kanë folur për ndeshjet e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Ata kanë thënë se Shqipëria synon vendin e parë në grupin dy të Ligës B, të Ligës së Kombe. Por për t’ia arritur këtij qëllimi, Vrioni e Veseli kanë theksuar se duhet ta japin maksimumin duke nisur që nga ndeshja kundër Islandës. Ndeshjen kundër Islandës në udhëtim Shqipëria e luan më 6 qershor nga ora 20:45.
“Kur luan në Nations League nuk ka ekip më të vështirë, ekip më të fortë, janë të gjithë në nivelin tonë dhe ne do punojmë që të marrim 3 pikë në Islandë dhe në Shqipëri me Izraelin”, ka thënë Vrioni.
Vrioni i është bashkuar Shqipërisë të martën, ndërsa thotë se është i gatshëm për ndeshjen kundër Islandës. Para ndeshjes kundër Islandës, Shqipëria është dashur të luante të enjten kundër Rusisë. Por UEFA e përjashtoi Rusinë pas pushtimit të Ukrainës.
“E dimë që janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por e dimë edhe nivelin tonë. Si në Islandë ashtu edhe në Shqipëri do të luajmë për të marrë tri pikë, për të arritur vendin e parë”, është shprehur Vrioni.
Ai ka shtuar se Shqipëria është e fortë në të gjitha repartet.
Edhe mbrojtësi i ekipit kuqezi, Frederic Veseli, konfirmon vullnetin që ka skuadra për të dhënë maksimumin për ta siguruar vendin e parë në grup.
“Sigurisht, për mendimin tim dhe të skuadrës jemi favoritë. Por varet se çfarë mendojnë edhe skuadrat e tjera. Ne shpirtërisht mendojmë se kemi çdo mundësi të fitojmë dhe mund ta konfirmoj se kemi vullnetin jo 100, por 200% për të dhënë maksimumin dhe për të arritur vendin e parë për të kaluar në Ligën A, ku kemi kundërshtarë shumë të fortë. Edhe si eksperiencë personale për çdo lojtar, edhe si eksperiencë për grupin dhe për tifozët tanë që na shikojnë, pse jo të shohin ndeshje kundër skuadrave shumë të forta dhe me nivel shumë të lartë”, ka deklaruar Veseli.
Veseli ka theksuar se janë të përgatitur për të fituar pikët maksimale ndaj Islandës.
“E kemi përgatitur mirë. E kemi nisur me stërvitje intensive që nga dita e parë dhe jemi përgatitur shumë në fushë. Synimi ynë është të bëjmë ndeshje të mira me Kombëtare dhe të fitojmë”, ka thënë Veseli.
Shqipëria më 10 qershor luan kundër Izraelit në Tiranë. Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, Shqipëria e luan edhe miqësoren ndaj Estonisë.