Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria siguron medalje në Evropianin e të rinjve në boks

Ariol Zeneli siguron medalje në Evropianin e të rinjve në boks

Shqipëria ka siguruar medalje në Kampionatin Evropian të rinjve në boks që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Ariol Zeneli të martën në kategorinë deri 51 kilogramë mposhti bindshëm 5:0 boksierin nga Sllovakia, Lukas Vymyslicky, duke siguruar kalimin në gjysmëfinale të Evropianit dhe e ka të garantuar së paku medaljen e bronztë.

Zeneli në 1/8 e finales kishte befasuar kampionin e vitit të kaluar, spanjollin Rafael Lozano Serrano.

Në çerekfinale ndaj sllovakut Vymyslicki, Zeneli, ishte dominues. Në fund triumfoi me 30:27, 30:27, 30:25, 30:26 dhe 30:27 me vlerësim të gjyqtarëve. Zeneli kishte fituar medalje të bronztë në Evropianin e të rinjve vitin e kaluar në Budva. Garoi në kategorinë deri 48 kg. 

Të hënën boksierët e Kosovës, Taulant Jakupi dhe Donat Syla po ashtu siguruan medalje. Të dy arritën në gjysmëfinale, Jakupi në kategorinë deri 86 kilogramë e Syla në atë deri 92 kilogramë.