Sport

Shpenzuesi i madh, Nottinghami, po lë shenjën e tij në Premier League

Nottingham Forest

Shprehja “ta bëjmë një Fulham” u përfshi në “fjalorin” e futbollit britanik pas shpenzimeve të mëdha në vitin 2018, kur klubi i sapopromovuar londinez shpenzoi rreth 105 milionë funte për 12 lojtarë të rinj në afatin kalimtar të verës.

Ishte shpenzim rekord për një klub të promovuar në një afat të vetëm kalimtar. Me kalimin e kohës u kthye në tallje, kryesisht për shkak të qasjes së Fulhamit dhe faktit që pesë nga transferimet arritën në ditën e fundit.

Fulhami përfundoi duke rënë nga kategoria, pesë ndeshje pa përfunduar sezoni, me diferencën më të keqe të golave nga çdo ekip në pesë ligat më të mira të Evropës.

Por si do ta gjykohet Nottighman Foresti, ekip që është kthyer këtë verë në Premier League dhe po vepron ngjashëm sikurse Fulhami nëvitin 2018 me përforcime.

Gjashtëmbëdhjetë transferime deri më tani. Një shpenzim prej rreth 150 milionë eurosh. Kjo shifër e bën Nottinghamin ekipin e tretë më shpenzimet më të mëdha në Evropë këtë afat kalimtar, pas Barcelonës dhe Chelseat. Te Nottinghami po insistojnë se po investojnë për të lënë gjurmë këtë edicion në Premier League, pasi janë kthyer në elitën e futbollit anglez pas 23 vjetësh. Megjithatë te Nottinghami nuk kanë garantuar se e kanë mbyllur me transferime, duke lënë të hapur mundësinë edhe të ndonjë përforcimi deri në fund të afatit kalimtar, që mbyllet pas një jave.

Shpenzimet e mëdha këtë verë te Nottinghami i arsyeton edhe trajneri Steve Cooper.

“Nuk kishim alternativë tjetër”, ka insistuar Cooper.

Realisht, Forestit i mungonin shifrat dhe lojtarët e cilësisë së duhur në skuadër për t'u përballur me skuadrat në Premier League, pasi ishte dobësuar nëpër ligat më të ulëta të Anglisë që nga viti 1999.

Katër lojtarë që ishin titullarë te Foresti në fitoren 1:0 kundër Huddersfieldit në finalen e plejofit të Championshipit, të luajtur në maj, ishin të huazuar dhe menjëherë u kthyen nëpër klubet e tyre. Shumica e lojtarëve në ekip nuk shiheshin mjaftueshëm të mirë për të luajtur në elitë, sidomos duke pasur parasysh faktin se rikthimi i Forestit në Premier League erdhi si një befasi e madhe. Kjo për faktin se sezonin e shkuar, Nottighami pas shtatë xhirove të para e kishte vetëm një pikë – starti më i dobët i një edicioni në historinë 108-vjeçare të Championshipit, i një ekipit të promovuar më pas.

“Unë po besoj se të gjithë po habiten se përse kemi bërë kaq shumë transferime dhe nuk i kemi besuar lojtarëve që i kishim sezonin e shkuar. Mirëpo ne kemi vepruar shumë mirë për shkak se nuk kishim zgjedhje tjetër. Nuk hezitoj të them se do të kishim dashur të vazhdojmë me ekipin që e kishim sezonin e shkuar, por lojtarët nuk do ta kishin përballuar Premier Leaguen. Pra, një gjë e tillë nuk do të ndodhte në asnjë mënyrë për shkak se jemi kthyer në elitë për të qëndruar për një kohë të gjatë”, tha Cooper pak ditë pas transferimit të 16-të të Forestit, mesfushorit Morgan Gibbs-White nga skuadra e Wolverhamptonit. “Kemi bërë shumë transferime të cilat mendojmë se do të na ndihmojnë shumë këtë edicion në Premier League”.

Megjithatë shuma e madhe e shpenzuar ka qenë befasuese, ashtu si disa nga emrat që u transferuan.

Bie në sy emri i Jesse Lingardit. Mesfushori anglez kishte zgjedhje pas skadimit të kontratës së tij me Manchester Unitedin - West Hami dhe Newcastle shprehën interesim - por ai zgjodhi Forestin, i cili raportohet se e paguan më shumë se 100 mijë euro në javë. Shoku i vjetër i Lingardit tek Unitedi, Dean Henderson, gjithashtu u transferua në stadiumin “City Ground” - në formë huazimi - ndërsa tre lojtarë kanë ardhur për tarifat prej 20 milionë eurosh ose më shumë: Neco Williams nga Liverpooli, Taiwo Awoniyi nga Union Berlini dhe pastaj Gibbs-White, një mesfushor sulmues anglez që ende nuk e ka përmbushur potencialin e tij dhe u angazhuar për një dëmshpërblim rekord të klubit prej 30 milionë eurosh.

Dëshmia më e mirë për ndryshimet e mëdha te Foresti është se në barazimin e fundit 1:1 ndaj Evertonit, vetëm katër lojtarë ishin të sezonit të shkuar. Sigurisht që është një bast nga pronari i Forestit, Evangelos Marinakis, një magnat grek që bleu pjesën më të madhe të aksioneve në klub në vitin 2017. Ai duket se po mendon të qëndrojë në Premier League, pasi kjo do t'i garantojë Forestit të paktën 100 milionë funte nga ky sezon dhe po aq në sezonin e ardhshëm, kryesisht për shkak të marrëveshjeve të mëdha të transmetimit global të ligës me vlerë rreth 10 miliardë funte përgjatë tri sezoneve.

Ndihmë për Forestin për t'iu përmbajtur rregulloreve të ferplejit financiar është fakti që klubi mund të shpërndajë pagesën e tarifave të transferimit mbi kohëzgjatjen e kontratave të lojtarëve. Dhe nëse do të mbijetojë këtë sezon, Foresti ka të ngjarë të balancojë librat në afatet e ardhshme të transferimeve.

Rënia eventuale nga Premier League do të shkaktonte largime të mëdha, me lojtarët si Lingard që do të largoheshin. Mirëpo fillimi i sezonit ka qenë premtues për Nottinghamin. Pas një humbjeje në xhiron e parë 2:0 në Newcastle, Foresti ka mposhtur West Hamin dhe i mori një pikë Evertonit.

Tottenhami viziton stadiumin “City Ground” të shtunën dhe do të përfaqësojë sfidën më të madhe të Forestit deri më tani këtë edicion, të paktën në fushë.

“Deri më tani po e shijojmë sezonin, por Tottenhami do të jetë një test i vërtetë për ne. Me Tottenhamin do ta shohim realitetin, nëse kemi mjaftueshëm lojtarë cilësorë apo duhet të bëjmë edhe ndonjë transferim eventual deri në fund të afatit kalimtar”, pranoi trajneri Cooper.

Shpenzuesi i madh, Nottinghami, po lë shenjën e tij në Premier League.