Sport

Shpejtim Bajoku, boksieri më i mirë i vitit

Ashtu siç pritej, Shpejtim Bajoku është shpallur boksieri më i mirë i vitit 2021 në Kosovë.

Federata e Boksit e Kosovës të martën ka shpallur më të mirët e vitit të kaluar. Dhe çmimi kryesor i ka takuar Bajokut.

Ai ka fituar turneun më të madh në vend, “Adem Jashari”. E fitoi medaljen e artë në turneun ndërkombëtar të mbajtur në Shkup, “Gongu i Artë”, ndërsa kishte edhe suksese të tjera. Bajokut iu mohua pjesëmarrja në Botërorin e mbajtur në Beograd.

Trajneri i Gollakut dhe i Përfaqësueses së Kosovës, Besim Brahimi, është vlerësuar më i miri i vitit nga FBOXK. Latif Demolli u shpall gjyqtari më i mirë, ndërsa Halil Kurhasku punëtor sportiv. Gollaku, ku bën pjesë Bajoku, u shpall klubi i vitit.

Në dhjetëshen e më të mirëve kanë zënë vend Bashkim Bajoku, Patriot Behrami, Remzo Mustafiq, Altin Shala, Imer Mangjolli, Luar Aliu, Ardian Seferi, Emir Saraçi, Drilon Arifi, Eralb Berisha e Shpend Kika.

Loris Idrizi është boksieri më i mirë i grupmoshës U18, Taulant Jakupi i grupmoshës U16 dhe Luan Morina i grupmoshës U14.

Donjeta Sadiku është shpallur boksierja më e mirë tek të rriturat, Alnera Brahimi te grupmosha U16 dhe Suela Canolli te grupmosha U14.

Natyrisht janë ndarë edhe shumë mirënjohje të tjera.