Sport

Shkëlqimi i Zenelit me Kosovën nisi në “Letzigrund”, stadiumin ku do të luhet miqësorja Zvicër - Kosovë

Arbër Zeneli nuk ka dëshirë ta kthejë kokën prapa dhe t’i kujtojë gjërat që i takojnë së kaluarës, qofshin ato të mira apo të këqija. Situata të tilla, Zeneli ka pasur në vitet e fundit. Është përballur me situata të ndryshme, kryesisht me lëndime. Ai është kthyer nga lëndimi i rëndë i pësuar së fundi, ndërsa nuk ka luajtur ende për ekipin e tij nga Ligue 1, Reimsin. Shpreson të luajë disa ndeshje në kampionatin francez para se Kosova të grumbullohet për ndeshjet miqësore në muajin mars. Të parën e ka të konfirmuar. Në stadiumin e Zuerichut “Letzigrund”, Kosova më 29 mars luan miqësore kundër Përfaqësueses së Zvicrës.

Në këtë stadium, Zeneli ka kujtime të mira. Ai shkëlqeu në miqësoren që Kosova e pati zhvilluar kundër Shqipërisë më 29 maj të vitit 2018. Pati shënuar dy gola në fitoren 3:0. Ishin edhe dy golat e parë me fanellën e Kosovës për sulmuesin e krahut.

Në fakt, në “Letzigrund” nisi edhe shkëlqimi i Zenelit. Më pas ai shënoi edhe shtatë gola të tjerë. Por, në shumë ndeshje, nuk luajti shkaku i lëndimeve që i pësonte herë pas here. Golin tjetër për Kosovën në miqësoren ndaj Shqipërisë, e pati shënuar Edon Zhegrova.

“Më kujtohet që në stadium ishin më shumë se 18 mijë shikues. Kishim përkrahje të madhe. Kishte flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë. Ishte një ndeshje miqësore e bukur për të gjithë ne që ishim në fushë dhe për shqiptarët në tribuna. Ka qenë një ndeshje vëllazërore. Ishim të motivuar. Zhvillova një ndeshje të mirë, por edhe gjithë ekipi ishim shumë të mirë. Secili ndihmonte njëri-tjetrin, ndërsa dy golat që i shënova ishin falë ndihmës së bashkëlojtarëve”, kujton Zeneli ndeshjen e 29 majit të vitit 2018 në stadiumin e Zuerichut të enjten për KOHËN.

Në fakt, në atë ndeshje ishin 18 mijë e 700 shikues, shumica e konsiderueshme shqiptarë. Nuk përjashtohet mundësia që Kosova të ketë përkrahje më të madhe se Zvicra në “Letzigrund” të martën e 29 marsit. Edhe në Federatën zvicerane kanë lënë të kuptohet se presin që në ndeshjen Zvicër – Kosovë të ketë shumë shqiptarë në tribuna. Është edhe përballja e parë në mes të këtyre dy përfaqësueseve. Te Zvicra liderë janë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri. Xhaka është kapiten, ndërsa Shaqiri zëvendëskapiten. Së fundi, te Zvicra po ftohen edhe Kastriot Imeri e Andi Zeqiri.

Ndërkohë, Arijanet Muriq, Fidan Aliti, Betim Fazliji, David Domgjoni, Mirlind Kryeziu, Edon Zhegrova, Toni Domgjoni e Florent Hadërgjonaj janë reprezentuesit aktualë të Kosovës që kanë të kaluar apo që aktualisht janë në futbollin zviceran. Deri vonë Kosovën e ka udhëhequr trajneri nga Zvicra, Bernard Challandes, që u largua në tetor të vitit të shkuar.

“Shpresoj të kemi përkrahje të madhe në miqësoren me Zvicrën. Por, në radhë të parë unë të jem gati për këtë ndeshje dhe ta ndihmoj Kosovën në duelin ndaj Zvicrës dhe në ndeshjet tjera, pasi situata me lëndimet ka qenë e vështirë, por si po duket për momentin mirë janë duke shkuar gjërat. Situata është e mirë për momentin”, tha Zeneli. “Shpresoj t’i kem lënë prapa lëndimet dhe fokusi im është për të ardhmen. Do të jetë një lojë e bukur. E pres me kënaqësi ftesën për të luajtur në ndeshje të tilla me kundërshtar të mëdhenj e sidomos përballë lojtarëve të nivelit të lart që i ka Zvicra”.

Zeneli për Kosovën ka debutuar më datën 6 tetor të vitit 2016. Pati luajtur 77 minuta në humbjen ndaj Kroacisë 6:0, në ndeshjen e zhvilluar në Shkodër në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”. Para se t’i bashkohej Kosovës, Zeneli luajti për U-21, U-19 dhe U-17 të Suedisë. Me fanellën e Kosovës, Zeneli ka realizuar nëntë gola në 27 paraqitje.