Bashkëpronari i Inter Miami, Jorge Mas, ka një kujtim të qëndrueshëm nga debutimi i Lionel Messit: imazhi i Messit që vrapon për të përqafuar familjen e tij pasi realizoi golin fitues nga gjuajtje e lirë, duke çimentuar një epokë të re për klubin dhe Major League Soccer në SHBA.
“Kjo ishte për tifozët. Ky komunitet është i uritur”, tha Mas.
Paraqitja vijuese e Messit të mërkurën kundër Atlanta Unitedit në Kupën e Ligës tregoi ndikimin që një lojtar – lojtari i duhur – mund të ketë në një klub të tërë. Messi shënoi dy herë dhe pati një asistim në ndeshjen e tij të parë si titullar tek Inter Miami, duke e çuar totalin e tij në tre gola në dy ndeshje të luajtura. Inter Miami kishte epërsi 3:0 në pjesën e parë, avantazhi i parë në historinë e klubit.
VIDEO:
Lionel Messi's 2nd goal vs Atlanta United becomes the most watched live event in the History of USA (3.4 billion).pic.twitter.com/y5rwYEEL8M
— Guinness World Records (@_Wessinho) July 26, 2023
“Do të ketë një Messi para dhe pas në futboll për këtë vend”, tha Mas.
Miami fitoi me rezultatin bindës 4:0. Messi u largua në minutën e 78-të për një ovacion të vazhdueshëm nga tifozët, ku shumica e tyre kishin veshur fanellën e tij me numrin 10. Shumë tifozë u drejtuan drejt daljeve të stadiumit pasi Messi ishte në stol.
“Me llojin e lojtarit që është Messi, është e justifikuar që kjo të ndodhë”, tha trajneri i Miamit, Tata Martino. “Do të kisha preferuar që publiku të qëndronte deri në fund të ndeshjes dhe t’i bënte homazhe të gjithë ekipit, por gjithashtu mund ta kuptoj veprimin e tyre”.
Miami fitoi grupin e tij dhe kaloi në raundin tjetër të Kupës së Ligës, në të cilin do të presë një kundërshtar që do t’i përcaktohet.
Në minutën e tetë, Messi mori një pasim nga shoku i tij i vjetër te Barcelona, Sergio Busquets, për ta zhbllokuar rezultatin. Më pas, në minutën e 22-të, Messi e kaloi Miamin në avantazh prej dy golave pas pasimit nga Robert Taylor.
VIDEO:
— Inter Miami CF (@InterMiamiCF) July 26, 2023
“Që kur ata të dy kanë arritur këtu, shpirti i ekipit ka ndryshuar”, tha DeAndre Yedlin i Miamit, duke iu referuar Messit dhe Busquetsit. “Natyrisht, djemtë janë shumë të emocionuar. Por unë mendoj se vetëm prania e tyre u jep të gjithëve më shumë besim. Dhe mendoj se edhe skuadrat me të cilat po luajmë tani kanë pak frikë nga ne. Kur ata të dy janë në fushë, të gjithë e dinë se i pret një ndeshje e vështirë”.
Messi debutoi te skuadra amerikane të shtunën e shkuar, kur u inkuadrua nga stoli në minutën e 54-t, në ndeshjen e parë të Miamit në Kupën e Ligës kundër klubit meksikan Cruz Azul. Dhe, ai siguroi një moment që fansat kishin shpresuar ta shihnin prejse shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” dhe kampioni i Kupës së Botës me Argjentinën vendosi të transferohej në SHBA. Messi e shndërroi në gol gjuajtjen e lirë në kohën shtesë për t’ia siguruar Miamit fitoren përpara një turme prej 21.000 shikuesish. Yedlin ia kishte dhënë shiritin e kapitenit Messit kur u inkuadrua ndaj Cruz Azulit, ndërsa argjentinasi ishte kapiten i Miamit edhe ndaj Atlantas.
“Ai është shoku im i skuadrës tani. Ai është shoku ynë i skuadrës”, tha Yedlin. “Ai është pjesë e këtij ekipi dhe dëshiron të fitojë si gjithë të tjerët. Ai është pa dyshim një talent i jashtëzakonshëm, por jashtë fushës ai më të vërtetë ndihmon shumë djem të rinj, madje edhe djem më të vjetër si unë”.
Mesfushori brazilian Gregore kishte qenë kapiten i klubit përpara se të pësonte një dëmtim në muajin mars. Me Messin, që me të drejtë tërhoqi shumë vëmendje nga mbrojtësit e Atlantës, mundësitë u hapën për lojtarët e tjerë të Miami. Taylor shënoi dy golat e tjerë për Miamin.
“Ka raste kur trajneri përgatit një lojë të caktuar në një mënyrë të caktuar, por këta dy lojtarë janë aq të mirë në atë që bëjnë saqë krijojnë hapësirë”, tha Martino për Messin dhe Busquets.
Messi kishte hyrë në fushë i kapur për dore me djalin e artistit hip-hop, DJ Khaled. Një tifoz hyri në fushë teksa Messi po dilte. Tifozi vrapoi deri në stolin e Miamit ku qëndronte Messi përpara se Martino të tërhiqte vëmendjen e sigurisë. Më pas tifozi u përcoll jashtë fushës.