Më 1 nëntor, klubi i basketbollit Peja lëshoi njoftimin e papritur. Njëri prej lojtarëve më të mirë në Superligë, kroati Henrik Shirko u suspendua nga klubi. Nuk u dhanë shumë detaje për arsyen e suspendimit të tij. “Suspendimi ka ardhur pas një incidenti, pas ndeshjes së mbrëmshme në Suharekë, ku lojtari në fjalë ka shkelur rëndë rregulloret dhe kodet e mirësjelljes së klubit tonë”, njoftonte Peja.
Shirko ishte më i miri në takimin ndaj Golden Eagle Yllit, pas të cilit u suspendua. Kishte realizuar 23 pikë e nëntë kërcime. Por, Peja kishte humbur, 93:92.
Një muaj pas suspendimit, Shirko e luajti ndeshjen e parë për skuadrën e re, Golden Eagle Ylli. Me Yllin vazhdoi si e la me Pejën – me paraqitje të mira. Debutoi më 1 dhjetor në ndeshjen ndaj Dritës. Në fitoren 111:74 realizoi 24 pikë, 15 kërcime e 11 asistime.
Ylli të shtunën e fitoi edhe një ndeshje. Në kuadër të Ligës Unike e mposhti Kamzën me shifrat 89:75. Shirko ndeshjen e mbylli me 9 pikë, 9 kërcime e 5 asistime. Sërish ishte prej më të mirëve.
28-vjeçari Shirko është i lumtur që ka lënë prapa telashet. Ai ka vendosur të mbetet në basketbollin kosovar, me gjithë ndarjen e keqe me Pejën. Thotë se mori ofertë të mirë nga Golden Eagle Ylli. Pranon përgjegjësinë për incidentin sa ishte pjesë e Pejës, por pa dhënë detaje.
“Pasi kaloi kohë dhe pasi kam zgjedhur situatën, sigurisht që jam më i qetë dhe më komod. Sa i takon çmendurisë që ndodhi rreth meje, unë kam pasur sjellje profesionale. Unë shikoj veten, jo të tjerët. Asnjëherë nuk kam fajësuar dikë dhe nuk do ta bëj as tani. Kam reaguar ashtu si kam reaguar dhe ndodhi si ndodhi. Vendimi për mua i bordit drejtues të KB Peja ishte se nuk mund të kthehem në ekip. Është vendosur që mund të paguaj për të shkëputur kontratën dhe se kështu do të jem lojtar i lirë”, ka thënë Shirko për KOHËN.
Ai fillimisht ishte te Peja në edicionin 2019/2020. U shqua me paraqitje të mira, ndërsa Peja ka vendosur sivjet që ta kthejë në skuadër. Prapë paraqitjet e Shirkos ishin të mira. Por, pranon se ka pasur telashe ta kontrollojë veten pas asaj ndeshjeje në Suharekë.
“Ato 23-24 ditë ishin vërtet të vështira për mua. Ishte e vështirë situata në të cilën isha dhe nuk shihja dalje prej saj. I kam provuar të gjitha që të kthehem te Peja, por thjesht vendimi i bordit ishte që kjo nuk vjen në shprehje”, ka shtuar Shirko.
Ai fillimisht mori një ofertë nga skuadra kroate, Split.

“Pas 15 ditësh është lajmëruar klubi i basketbollit Split dhe më ka ofruar kontratë. Ishte shumë afër. Është dashur të paguaj klauzolën dhe të shkoj te Spliti. Por pesë ditë më vonë, Golden Eagle Ylli më bëri ofertë më të mirë. Spliti nuk ka mundur ta përcjellë atë dhe unë mora vendim që të paguaj klauzolën për shkëputje të kontratës me Pejën dhe të bëhem lojtar i ri i Yllit”.
Në Suharekë, Shirkon e kanë pritur mirë të gjithë. Ndonëse ndaj Dritës nuk ishte në formën më të mirë, nuk kishte energji e motivim, Shirko realizoi “triple-doublen” e dytë në karrierë. Kjo, sipas tij, dëshmon se sa i etur ishte për të luajtur.
“Nuk më intereson statistika dhe nuk kam ardhur tek Ylli që të bëhem lojtari më i mirë. Kam ardhur të jem profesionist dhe të bëj në mënyrë profesionale atë që nga unë e kërkojnë trajneri Beçiragiq dhe klubi”.
Shirko ka pasur përkrahje të madhe nga tifozët, ndonëse theu rregullat e klubit. Komentet e tifozëve të Pejës, kryesisht ishin pozitive ndaj tij, duke çmuar kështu kontributin e dhënë në parket për skuadrën e verdhë.
“Kam pasur vërtet bashkëlojtarë të shkëlqyeshëm te Peja. E kam pasur mirë. Në fund, për fat të keq çmenduria jashtë basketbollit dhe jashtë terrenit solli largimin. A kam gabuar, po kam gabuar. Por unë jam qenie njerëzore dhe vlerësoj se një gabim nuk më bën kriminel. Por e di që kam pasur përkrahje të madhe nga të gjithë në qytetin e Pejës, të tifozëve “Shqiponjat” dhe bashkëlojtarëve dhe trajnerit në skuadër. Unë e di se sa e kisha të vështirë gjatë atyre 25 ditëve. Por pas përkrahjes nga të gjithë ia kam dalë ta lë anash dhe të gjej zgjidhje. Shpresoj që kam vendosur mirë. Dua të falënderojë tëë gjithë qytetarët e Pejës, ish-bashkëlojtarët dhe trajnerët”, ka theksuar Shirko. Ai falënderon edhe trajnerin Bujar Loci që i mundësoj të ushtrojë me basketbollistet e Penzës.
i gjatë 199 centimetra thotë se ka mundur të luante te Peja edhe 6-7 vjet. Nuk e di nëse do të kthehet ndonjëherë te Peja.
“Tani e mbaj fanellën e Yllit dhe nëse Ylli është i kënaqur me mua, unë nuk kam asgjë kundër që në 6-7 vjetët e ardhshëm të jem lojtar i ekipit nga Suhareka”, thotë Shirko.