Henrik Shirko ishte mungesë e madhe e Golden Eagle Yllit në dy ndeshjet e para gjysmëfinale të plejofit ndaj Pejës. Kroati Shirko thotë që ka munguar për shkak të lëndimit.
Shirko është prej basketbollistëve më të rëndësishëm të Yllit të Suharekës, ndërsa do të jetë në ekip për ndeshjen e tretë gjysmëfinale që luhet të mërkurën mbrëma në “Karagaçi”.
Peja udhëheq 2:0 në serinë gjysmëfinale, ndërsa me një tjetër fitore kalon në finale. Por Ylli shpreson në kthimin e rezultatit. Ylli është kampion në fuqi.
“Lëndimi erdhi në kohën e duhur pasi është dashur të ndodhë. Pas shikimit të analizave dhe gjendjes sime, të gjithë në klub kanë vendosur që nuk do të më shtyjnë të luaj dhe që ngadalë të provojë të kthehem, nëse kjo është e mundur. Fizioterapeuti ka bërë çdo gjë që ka mundur me mua dhe po ashtu të tjerët në klub. Për këtë jam falënderues. Për nesër jam vënë në dispozicion të ekipit dhe trajneri vendos nëse do të luaj. Unë kam shprehur dëshirë të luaj, ai vendosë”, ka thënë Shirko të martën.
“0:2 është situata në të cilën gjendet Golden Eagle Ylli, por më duhet të them që Peja ishte më e mirë në dy duelet e para. Tani është dueli i tretë dhe le të fitojë më i miri”, ka shtuar basketbollisti kroat.