Reagimi i Golden Eagle Yllit në serinë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll ndaj Pejës nuk e ka befasuar fundorin Valon Bunjaku. Bunjaku ka pritur që ekipi nga Suhareka të tregojë mentalitetin e kampionit.
Ylli i kishte humbur dy ndeshjet e para nga Peja dhe të mërkurën mbrëma në “Karagaçi” e fitoi duelin e tretë, për ta vazhduar serinë gjysmëfinale.
Bunjaku të enjten për KOHËN ka theksuar se nuk kishin opsion tjetër veç fitores në ndeshjen e tretë. Në rast të humbjes Ylli do të eliminohej, por fitorja me shifrat 107:104 ka bërë që seria të bartet në Suharekë, ku të shtunën do të zhvillohet ndeshja e katërt. Ai thotë se të gjithë në skuadër kanë besuar se do ta ngushtojnë rezultatin në 2:1. Në ndeshjen e tretë Yllit iu kthye nga lëndimi Henrik Shirko, që ishte më i dalluari me 22 pikë e 10 kërcime, ndërsa i mungoi qendra Chris Harris. Bunjaku në fitore dhe kontribut të madh. I kishte 10 pikë, 7 kërcime e 5 asistime.
“Edhe pse ishim në disavantazh 2:0, ne asnjëherë nuk jemi dorëzuar dhe kemi besuar se do të kthehemi në lojë. Me fitoren e arritur në Pejë tashmë kemi paralajmëruar kthimin tonë të fuqishëm në këtë seri, ndonëse edhe në dy ndeshjet e para nuk kemi luajtur dobët, por thjesht na ka munguar fati”, ka thënë Bunjaku. “Po ashtu në dy ndeshjet e para kishim mungesa në formacion, ndërsa tashmë janë kthyer Henrik Shirko dhe Chris Harrisi dhe jemi dukshëm më të kompletuar. Ne kemi besuar se nuk do të eliminohemi 3:0 edhe pse Peja është ekip e fortë dhe e njohim mirë njëri-tjetrin”.
Fitorja ndaj Pejës ka motivuar Yllin, i cili në ndeshjen e radhës futet për ta barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2:2 dhe për ta siguruar duelin e pestë që vendos përfundimisht për ekipin që avancon në finale.
Bunjaku ka thënë se Ylli edhe këtë herë do të luajë për të dhënë gjithçka nga vetja, ndërsa llogarit në përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Sipas Bunjakut, kjo ndeshje është finale për Yllin pasi sezoni varet prej saj.
“Me fitore e kemi rritur dukshëm vetëbesimin dhe në duelin e katërt futemi për të dhënë gjithçka nga vetja për shkak se ende nuk jemi gati për ta përfunduar sezonin. Peja është pak në presion, kurse ne kemi edhe përkrahjen e tifozëve që është një plus i madh. Besoj se mund ta barazojmë këtë seri për të shkuar në ndeshjen e pestë, që mund ta fitojmë edhe pse luhet në Pejë”.
Edhe
Të shtunën vendoset gjysmëfinalisti i fundit
Bunjaku beson që Ylli mund të avancojë në finale për edicionin e tretë rresht. Skuadra suharekase dëshiron ta fitojë edhe titullin e tretë.
Ylli këtë edicion nuk e ka fituar asnjë trofe në basketbollin kosovar, ndërsa ka luajtur në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, pas humbjes në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Sipas Bunjakut, Ylli ka ekip për të mbrojtur titullin e kampionit.
“Realisht ndeshja e katërt në Suharekë është çelësi për të shkuar drejt titullit. Mbrojtja e titullit ka qenë synimi ynë prej fillimit të sezonit. Kemi ekip të mirë dhe lojtarë për ta bërë një gjë të tillë, pasi këtë e kemi dëshmuar me paraqitjet deri më tani”, theksoi Bunjaku. “Jemi gati për të dëshmuar fuqinë tonë si kampion dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë moment”.