Sport

Shirko tregon se vendimi i kujt ishte të largohet nga Ylli dhe synimet me Prishtinën

Basketbollisti kroat, Henrik Shirko, të martën u prezantua nga Sigal Prishtina dhe të martën debutoi me këtë skuadër. Debutimi ishte i suksesshëm. Ai luajti 24 minuta në fitoren 107:82 ndaj Plevlës së Malit të Zi në kuadër të Ligës Ballkanike.

Shirko i kishte 12 pikë, tetë kërcime e pesë asistime dhe ishte prej më të mirëve te Prishtina.

Për tifozët e basketbollit, paraqitja e Shirkos te Prishtina ishte e pamenduar vetëm pak ditë më parë. Ai kishte kohë që luante për Golden Eagle Yllin dhe ishte prej lojtarëve të rëndësishëm.

Por Ylli i Suharekës para pesë ditësh njoftoi për ndarjen me Shirkon.

“Klubi dhe Henrik Shirko ndajnë rrugët pas plot dy vjetësh. Një vendim jo i lehtë pas një të kaluare me shumë suksese”, kishte shkruar Ylli.

30-vjeçari ka treguar të mërkurën se vendimi për ndarje nuk ishte i tij.

“Pas dy vjetësh është vendosur që bashkëpunimi të përfundojë. Jo nga ana ime, vendimi ishte nga bordi drejtues”, ka thënë Shirko.

Ai është prej lojtarëve të huaj që më së gjati ka “mbijetuar” në basketbollin kosovar. Në fakt është prej të rrallëve lojtarëve nga regjioni që luan në skuadrat kosovare. Fillimisht erdhi te Peja në shtator të vitit 2019. U kthye pas një edicioni në Shibenik, ndërsa në fillim të edicionit 2021/2022 iu bashkua sërish Pejës. Por qëndroi vetëm deri në dhjetor të vitit 2021. Pas disa telasheve që kishte te Peja, iu bashkua Yllit.

Pas dy vjetësh në Suharekë, tani luan për Prishtinën. Shirko është prej lojtarëve të respektuar nga tifozët kosovarë, thuajse në të gjitha palestrat.

“Kosova për mua është si Kroaci. Ndihem shumë mirë dhe shumë njerëz të mirë kam njohur në Kosovë. Me Pejën e kam fituar Kupën e Kosovës. Me Golden Eagle Yllin e kam fituar kampionatin dhe kam garuar në FIBA Europe Cup. Tifozët ‘Shqiponjat’ dhe ‘Xhebrailat’ kur jam larguar nga Peja dhe nga Ylli më kanë përkrahur. Shpresoj që do ta fitoj dhe do ta meritoj edhe përkrahjen e tifozëve të Prishtinës”, ka theksuar Shirko, që shquhet për angazhimin dhe për kontributin për skuadrat ku luan.

Ai kishte oferta edhe nga skuadra të tjera kosovare.

“Kam pasur oferta edhe nga Peja dhe Vëllaznimi. Por oferta e Prishtinës ishte më e mira në këtë moment dhe këtë rrugë e kam zgjedhur”, ka treguar basketbollisti kroat.

Me Shirkon, Prishtina pritet të ketë “pamje” tjetër. Rezultatet e saj deri më tani nuk ishin ato që priteshin, por tifozët prishtinas shpresojnë që kjo të ndryshojë për pjesën e dytë të kampionatit.