Klube e organizata të ndryshme sportive kanë përfituar shuma të majme nga Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Shumica e mbi nëntë milionë eurove që janë siguruar nga marrëveshjet e sponsorizimit vitin e kaluar, kanë përfunduar në klubet elitare të futbollit dhe basketbollit.
Por në të dhënat që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka prezantuar për KOHËN, ka edhe plot klube, shkolla e organizata që vlerësohen të vogla e që kanë përfituar shumë para nga Ligji për sponsorizime. Gjithsej në vitin 2022 janë lëshuar 700 vërtetime. Në bazë të tyre realizohen marrëveshjet mes organizatave sportive dhe kompanive të ndryshme për sponsorizim.
Çiklizmi vlerësohet prej sporteve të vogla në vend. Të hyrat në këtë sport janë fare të vogla. Federata e Çiklizmit e Kosovës nuk ka përfituar në vitin 2022 nga Ligji për sponsorizim. Por kanë përfituar disa klube. Njëri prej tyre madje shifër të lartë. Bëhet fjalë për klubin ferizajas Kastrioti, që nga një marrëveshje sponsorizimi ka përfituar plot 85 mijë euro. Kastrioti është njëri prej klubeve më të mira në vend i çiklizmit, i themeluar në vitin 2000. Ky klub merr pjesë në aktivitete të kohëpaskohshme që organizohen në çiklizëm. Në faqen e klubit aktiviteti i fundit është evidentuar më 30 prill.
Një shkollë e futbollit ka përfituar edhe më shumë. Bëhet fjalë për “Top Sport and Education”, që ka të evidentuara vitin e kaluar tetë marrëveshje për sponsorizim. Kjo organizatë ka përfituar plot 91 mijë e 500 euro vjet, sipas të dhënave zyrtare. “Top Sport and Education” ka të evidentuar një marrëveshje prej 30 mijë eurosh, një tjetër prej 25 mijë e një të tretë prej 20 mijë. I ka edhe marrëveshjet tjera me shifra më të vogla.
Kjo shkollë futbolli ofron ushtrime mujore për kompensimin prej 50 eurosh.
Një klub i kikboksit, Imperium, ka përfituar 70 mijë euro nga një marrëveshje e vetme sponsorizimi.
Klubi i futsallit Fida, që nuk garon në Superligë, ka dy marrëveshje të evidentuara vitin e kaluar. Dy marrëveshjet janë nga 30 mijë euro, pra 60 mijë euro gjithsej.
Në autosporte, AMKK Prishtina ka dy marrëveshje sponsorizimi të evidentuara që i kanë siguruar këtij klubi plot 115 mijë euro.
Boullingu mund të duket lojë rekreative, por dy klube të boullingut kanë përfituar shuma jo të vogla nga marrëveshjet e sponsorizimit. Klubi i boullingut Drita i ka përfituar 20 mijë euro, ndërsa Katana, 6000 euro.
Në motoçiklizëm, Theranda Motocross ka dy marrëveshje nga 20 mijë euro dhe një tjetër 6 mijë euro. Pra gjithsej nga sponsorizimi ka përfituar 46 mijë euro.
Diellix, që është i evidentuar si klub i tenisit e diku i tenisit dhe i golfit, ka pesë marrëveshje sponsorizimi nga viti i kaluar. Njëra prej tyre është 20 mijë euro. Gjithsej ka përfituar 47 mijë e 500 euro.
Klubi i skitarisë Prishtina ka katër marrëveshje, që i sollën 42 mijë euro.
Aeroklub Shkaba ka përfituar 10 mijë euro, klubi i karatesë Fushë-Kosova 20 mijë euro, ndërsa klubi i pingpongut Llapusha nga Malisheva, 12 mijë e 500 euro. Para nga Ligji për sponsorizime kanë përfunduar edhe në shah. Kështu klubi Elita i ka përfituar 14 mijë euro nga tri marrëveshje, njëra prej tyre prej 10 mijë euro. Lista e klubeve që kanë përfituar është shumë e gjatë.
Në shumë prej këtyre sporteve pjesëmarrësit nuk paguhen apo paguhen fare pak. Dhe shpenzimet nuk vlerësohen shumë të mëdha. Ndërkohë të hyrat janë të bollshme.
Ligji për sponsorizime mundëson që paratë që duhet të përfundojnë në buxhet të shtetit të përfundojnë te klubet dhe organizatat sportive. Qëllimi është të përkrahet sporti kosovar, por kontrollimi ka dyshime nëse është i duhuri.