Trajneri aktual i Tiranës, Orges Shehi, ka pranuar se është kontaktuar nga drejtuesit e skuadrës së Gjilanit. Shehi të martën për KOHËN ka bërë të ditur se është i hapur për të punuar në Kosovë. Madje, ai ishte shumë afër për ta marrë drejtimin e skuadrës së Ballkanit para se të bëhej trajner i Tiranës vitin e shkuar.
“Telefonatë kam pasur, por jo takime. Me sa dijeni kam, Gjilani është klub që ka vite që është në majat e futbollit kosovar. Kampionatin e Kosovës e përcjell. Kam shumë miq në Kosovë. Kam qenë edhe afër Ballkanit para se ta merrja Tiranën”, ka thënë Shehi për KOHËN.
Shehi me Tiranën e ka fituar titullin e kampionit. Në Shqipëri raportohet se Shehi nuk ka arritur marrëveshje për të mbetur pjesë e Tiranës edhe për sezonin e ardhshëm.
Interesimi për Shehin nuk është mohuar as nga Gjilani.
“Po pas përfundimit të marrëveshjes me Ismetin, ne në klub kemi nisur menjëherë të shikojmë për opsionet dhe ndër ta është edhe Orges Shehi. Por nuk është vetëm ai. Ka edhe emra të tjerë që i kemi në opsion. Megjithatë, Shehi mbetet si favorit. Të shohim pas përfundimit të kampionatit, sepse ende nuk ka përfunduar as këtu e as në Shqipëri”, ka thënë një zyrtar i klubit në kushte anonimiteti.
Gjilani muajin e kaluar largoi Ismet Munishin, që nuk përmbushi pritjet për të dalë kampion dhe për ta fituar trofeun e Kupës. Gjilani vlerësohet një prej klubeve më të organizuara në vend. Brenda pak vjetësh ka ndërruar disa trajnerë në kërkim të trofeve. Gjilani do të marrë pjesë në garat kualifikuese të Ligës së Konferencës për sezonin 2022/23.
“Unë jam ende zyrtarisht trajner i Tiranës dhe deri në përfundim të kontratës nuk është etike të bisedoj me klube të tjera. Pas mbylljes së bisedimeve me presidentin e Tiranës, Refik Halilin, pastaj do të shohim për opsionet e tjera”, është shprehur Shehi.
44-vjeçari para se ta marrë drejtimin e Tiranës, Shehi ka qenë edhe trajner i skuadrës së Skënderbeut dhe Kukësit. Në vitet e fundit, Gjilanin e kanë drejtuar edhe Bylbyl Sokoli dhe Gentjan Mezani. Si trajner, Mezani vlerësohet se ka pasur rezultatet më të mira deri më tani te Gjilani. Skuadra e Gjilanit nën drejtimin e Mezanit pati përfunduar me pikë të njëjta me rivalin, Dritën në edicionin 2020/21. Mirëpo, Drita në fund e fitoi titullin e kampionit të Kosovës për shkak të goldallimit më të mirë. Aktualisht, Gjilani është i dyti këtë edicion në Superligë, me 62 pikë të tubuara kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të sezonit. Ka katër pikë më shumë se Drita që renditet e treta. Kampion i Kosovës është Ballkani.