Chicago, 1 gusht - Xherdan Shaqiri po kalon formë të lartë te Chicago Fire. Ai të hënën shënoi gol për Chicago Fire që barazoi 1:1 me skuadrën meksikane Puebla. Ndeshja i takoi fazës grupore të Leagues Cup, garës së klubeve të SHBA-së dhe Meksikës. Puebla kaloi në epërsi në minutën e 74-t, ndërsa Shaqiri realizoi nga goditja e dënimit në minutën e 79-të. Topi u devijua nga një lojtar në “murin e gjallë” dhe përfundoi në rrjetë.
Pasi ndeshja përfundoi 1:1, u gjuajtën penallti. Puebla fitoi 10:9 dhe fitoi pikën shtesë, që jepet në këtë garë. Por Chicago e fitoi grupin me katër pikë nga dy ndeshje. Dhe u kualifikua për 1/16 e finales në Leagues Cup. Do të luajë pas disa ditësh me skuadrën Club America.
Shaqiri u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Ai shënoi gol edhe në fitoren 3:2 të Chicagos ndaj Minnesota United, më 28 korrik. Gjatë korrikut i kishte edhe dy gola e një asistim në ndeshjet e kampionatit MLS.
31-vjeçari nisi ngadalë kampionatin në MLS të SHBA-së. I ka tri gola e katër asistime në 18 paraqitje kampionale.
Për formën e Shaqirit ka folur portieri i Chicago Fire, Chris Brady.
“Forma e tij më gëzon, sigurisht. Pasi ai shënoi gol unë u emocionova shumë, por për të gjithë ekipin. Na jep vetëbesim me pasimet e tij dhe me goditjet. Ai është kthyer. Sigurisht që kthimi i tij na jep të gjithëve më shumë besim”, ka thënë Brady.
Edhe
Shaqiri shënon golin e dytë të edicionit në MLS
Shaqiri ishte kapiten i skuadrës, ndërsa e realizoi edhe penalltinë.