Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shaqiri pranë paraqitjes jubilare me Zvicrën

Basel, 6 tetor - Kapiteni i ri i Përfaqësueses së Zvicrës, Xherdan Shaqiri, është në humor të mirë para ndeshjeve kualifikuese të kupës së botës “Katari 2022” kundër Irlandës Veriore dhe Lituanisë, që i luan këtë muaj. Ai në një intervistë dhënë për gazetën zvicerane “Blick” ka folur për ndeshjen jubilare, të 100-të me fanellën “helvetike”, si dhe për karrierën e tij futbollistike dhe synimet që i ka me skuadrën e Lyoni, së cilës iu bashkua gjatë afatit kalimtar të verës nga Liverpooli. Shaqiri ishte i pranishëm edhe në një shkollë në Lausanne, ku takoi tifozët e rinj.

“100 paraqitje, është numër i mirë. 100 ndeshje për shtetin, nuk është një eksperiencë që mund të ndodhë çdo ditë si lojtar. Ky numër më bën krenar. Gjithmonë kam dashur të jap gjithçka për shtetin tonë. Do të ishte e veçantë nëse do të kualifikoheshim direkt në Botëror në ndeshjen time të 100-të me Zvicrën kundër Bullgarisë në Itali. Por fillimisht janë ndeshjet kundër Irlandës së Veriut dhe Lituanisë. Ky ekip e ka synimin që të kualifikohet në çdo garë. Por jo gjithmonë mund të funksionojë. Italianët ishin jashtë Botërorit të vitit 2018. Megjithatë, nuk besoj se do të vijmë deri në pikën ku nuk do të kualifikohemi”, ka thënë fillimisht Shaqiri për gazetën zvicerane.

Ndeshja e radhës për Zvicrën do të jetë të shtunën në shtëpi kundër Irlandës Veriore. Në ndeshjen e fundit kualifikuese të botërorit “Katari 2022”, në udhëtim te Irlanda e Veriut, Zvicra barazoi pa gola.

“Duhet të krijojmë më shumë shanse të shtunën, të luajmë në sulm më shumë, me më shumë vendosmëri. Në Belfast skuadra nuk luajti keq, mungoi vetëm goli”, tha ai.

Për duelet e radhës kualifikuese të Botërorit, Zvicra do të jetë pa mesfushorin e Arsenalit, Granit Xhaka. Xhaka pësoi dëmtim të rëndë në gju, lëndim që do ta lërë për tre muaj jashtë fushës. Në mungesë të Xhakës, Shaqiri do ta bartë shiritin e kapitenit te Zvicra.

“Shkruaj shpesh me përzgjedhësin. Herën e fundit kemi folur në telefon. Ai më tha në telefon se unë do të jem kapiten. Sa u përket penalltive, unë do të vendos për veten nëse do të gjuaj apo do ta lë dikë tjetër ta marrë atë përgjegjësi. Unë gjithmonë kam dashur që të gjuaj penalltitë. Nëse do të ketë një të tillë, do të mundohem ta ekzekutoj unë”, tha Shaqiri, duke vazhduar më pas të flasë për aventurën e re te skuadra e Lyonit në Francë.

Shaqiri ka pasur karrierë të ndritur futbollistike. Ka bërë karrierë te Baseli, Bayern Munichu, Interi, Stoke City dhe Liverpooli.

Edhe Shaqiri: Kalimi i grupit, objektivi minimal i Zvicrës Botërori 2026 Shaqiri: Kalimi i grupit, objektivi minimal i Zvicrës

“Jam shumë i lumtur për kalimin te Lyoni. Doja të ndërroja ambient vitin e kaluar. Por në atë kohë, Liverpooli nuk u pajtua. Më pëlqeu vizioni i trajnerit të Lyonit, Peter Bosz. Ai luan futboll ofensiv, i cili më përshtatet shumë. Në Francë e kam shansin të kthehem në formën më të mirë. Më duhen shumë lojë të zhvilluara dhe atë mund ta arrijë te Lyoni. Nëse jam në formë të mirë, mund ta ndihmoj Lyonin dhe Përfaqësuesen e Zvicrës edhe më shumë. Futbolli në Francë nuk është i lehtë për lojtarë si unë, pasi ekipet mbyllen shumë mirë. Megjithatë, ende është herët të merret si përfundim. Ligue 1 është një prej ligave më të mira me shumë lojtarë të rinj. Përfshirë këtu edhe Messin, natyrisht”, përfundoi Shaqiri.

Shaqiri ka treguar për “Blickun” se jeton në një banesë në qytet dhe se e di gjuhën franceze nga shkolla. Thotë se flet frëngjisht, ndërsa tregon se lojtarët francezë nuk dëshirojnë të flasin gjuhën angleze. Ajo që vuri në theks të veçantë Shaqiri është se nuk dëshiron që ta mbyllë karrierën për momentin dhe se nuk dëshiron të kthehet në futbollin zviceran.

“Të luaj në Zvicër në fund të karrierës? Jo, nuk mendoj se do të luaj. Ende nuk e di, por po e lë të hapur. Mundohem të luaj në nivelet më të larta të futbollit për aq sa është e mundur. Por, një gjë është e sigurt. Dua të qëndroj i lidhur me futbollin. Nuk mendoj të bëhem menaxher si vëllai im. Puna e trajnerit më tërheq më shumë”, tha ish-fituesi i Ligës së Kampionëve me Bayernin e Liverpoolin.