Sport

Shaqiri për KOHËN: Goli ndaj Serbisë është momenti më i madh në karrierën time

Xherdan Shaqiri nuk e ka fshehur kurrë dashurinë që ka për vendin e tij të lindjes – Kosovën.

Edhe në intervistën dhënë KOHËS ka thënë se Kosovën e ka në zemër. Por Shaqirit do t’i duhet të luajë kundër Kosovës në një miqësore në Zuerich.

Kosova dhe Zvicra do të takohen për herë të parë në një ndeshje. E para, pra, do të jetë edhe për Shaqirin dhe për futbollistët e tjerë të ftuar te Zvicra e që janë me rrënjë nga Kosova – Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri.

Shaqiri, 30-vjeçar, thotë se ndeshja e Zvicrës me Kosovën do të jetë festive si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai madje thotë se do të jetë historike. Ndeshja luhet të martën nga ora 18:00 në Zuerich.

“Po të kem rast për të shënuar, duhet të shënoj. Por sigurisht se nuk do të festoja nëse do të shënoja gol, sepse kam shumë respekt për Kosovën. Është ndeshje miqësore dhe me rëndësi është të luaj në këtë ndeshje historike”, ka thënë, ndër të tjera, futbollisti më i suksesshëm shqiptar.

Shaqiri për Zvicrën ka luajtur të shtunën kundër Anglisë në “Wembley”. Ishte ndeshja e 101-të e tij me Përfaqësuese, që nga debutimi në vitin 2010. Ai ka shënuar 26 gola. Me Zvicrën do ta luajë Botërorin e katërt.

Shaqiri u paraqit me sukses në “Euro 2020” dhe tani pritet të jetë lider i Zvicrës në botërorin “Katari 2022”. Janë të gjitha mundësitë që Shaqiri të ketë edhe një ngjarje tjetër të madhe të suksesshme. Ai ka fituar edhe dy trofe të Ligës së Kampionëve, me Liverpoolin dhe me Bayern Muenchenin.

Shaqiri thotë se goli ndaj Serbisë është më i veçanti në jetën e tij. Ai në Botërorin e vitit 2018, të mbajtur në Rusi, i bëri të gjithë shqiptarët krenarë. Në ndeshjen e dytë në grup, Zvicra u përball me Serbinë, më 22 qershor 2018 në Kaliningrad. Shaqiri shënoi golin që do të mbahet mend gjatë. Zvicra me golin e tij fitoi 2:1 ndaj Serbisë. E festoi golin me shqiponjë, ashtu si Granit Xhaka që realizoi golin e parë.

KOHA: Po i afrohemi ndeshjes me Kosovën. Si e vlerësoni këtë takim?

XHERDAN SHAQIRI: Është një ndeshje miqësore në mes të dy shteteve mike. Është një ndeshje shumë emocionale për shumë lojtarë, jo vetëm për ne që kemi lindur në Kosovë, që janë me rrënjë nga Kosova, por edhe për lojtarët që luajnë për Kosovën që janë rritur në Zvicër. Është një ndeshje emocionale, por edhe shumë miqësore. Do të përballen dy shtete mike dhe do të jetë me shumë shikues në stadium dhe unë mezi pres ta luaj këtë ndeshje kundër Kosovës.

KOHA: Natyrisht, për ty dhe për shqiptarët e tjerë të Zvicrës do të jetë ndeshje e veçantë. A është ndeshja më emocionuese për ty?

SHAQIRI: Është një lojë e veçantë për gjithë shqiptarët në botë, sidomos për shqiptarët në Zvicër. Ne e dimë se sa shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë janë në Zvicër. Kemi shumë lojtarë shqiptarë që luajnë në Zvicër. Është hera e parë që Zvicra luan një ndeshje kundër Kosovës dhe do të jetë për ne një ndeshje speciale, për të dyja përfaqësueset dhe për popullin në Kosovë dhe në Zvicër.

KOHA: Cila është lidhja juaj me Kosovën?

SHAQIRI: Do të jetë një lojë emocionuese për mua, sepse unë e dua shumë Kosovën. Unë kam lindur në Kosovë, e kam ende bindjen me Kosovën. Në Kosovë kam shumë familjarë e shokë dhe vij shumë shpesh këtu. E dua Kosovën me zemër, ashtu si edhe Zvicrën. Në fund të fundit, është një ndeshje miqësore dhe të dyja ekipet dëshirojmë të fitojmë. Stadiumi besoj se do të jetë i mbushur.

KOHA: Dihet që ju jeni përfaqësues i shqiptarëve që jetojnë në Zvicër. A pritni numër të madh të shqiptarëve në stadium dhe për kë mendon se do të bëjnë tifo?

SHAQIRI: Unë besoj se do të jetë 50 % shqiptarë dhe 50 % zviceranë, por mbase mund të ketë edhe më shumë shqiptarë, pasi shumë shqiptarë kanë edhe pasaportën e Zvicrës. Do të ketë shumë njerëz, mezi do të presin për ta parë këtë ndeshje. Do të jetë një ndeshje e jashtëzakonshme dhe do të mbetet në histori.

KOHA: A do të festoni po të shënoni ndaj Kosovës?

SHAQIRI: Unë kam respekt për Kosovën dhe Shqipërinë. Sporti është sport dhe si në çdo ndeshje edhe ndaj Kosovës do të jap 100 % nga vetja. Po të kem rast duhet të shënoj, por sigurisht se nuk do të festoja nëse do të shënoja gol, sepse kam shumë respekt për Kosovën. Është ndeshje miqësore dhe me rëndësi është të luaj në këtë ndeshje historike.

KOHA: Jeni lojtari kryesor te Zvicra. Ngadalë po bëheni gati për Botëror. Cili do të jetë synimi juaj në Botëror?

SHAQIRI: Kemi arritur kualifikimin në Botëror dhe ka qenë e vështirë. Kemi pasur një grup të vështirë dhe kemi mposhtur Italinë dhe jemi kualifikuar si të parët e grupit. Kjo ka qenë e jashtëzakonshme, pasi nuk e kanë pritur shumë njerëz. Është një e arritur e madhe, por ne kemi një skuadër me lojtarë të talentuar, kemi edhe lojtarë me përvojë dhe me ekipin tonë gjithmonë jemi kualifikuar në turne të mëdha. Do të mundohemi të përmirësohemi dhe të bëjmë një hap para. Synimi ynë është të fitojmë edhe ndaj ekipeve më të mëdha.

KOHA: Të kalojmë pak në nivel klubesh. Si e cilëson kalimin në SHBA dhe si të kanë pritur te Chicago Fire?

SHAQIRI: Jam pritur shumë mirë te Chicago Fire. Edhe në Amerikë ka shumë shqiptarë dhe shumë prej tyre janë të pranishëm në stadium. Jam shumë i lumtur që shoh shumë flamuj shqiptarë në stadiume dhe po ashtu që kam arritur t’i shoh disa admirues të lojës time dhe kemi gjasa të bëjmë gjëra të mira së bashku me ekipin, por edhe në jetën private. Amerika më pëlqen shumë.

KOHA: Keni bërë një lëvizje jo shumë të pritur për në SHBA. Çka vendosi për ta bërë këtë transferim?

SHAQIRI: Projektin që ma ka ofruar Chicagoja ka qenë i rëndësishëm për mua. Kam dashur një gjë tjetër për momentin, sepse kam dashur të njoh edhe një kulturë të re dhe një kulturë të re të futbollit. Aty kam edhe një shok që kam punuar me të në Basel dhe ai më ka ofruar një projekt të mirë dhe i kam thënë ‘Po’. Besoj se do të kemi sukses dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e Chicagos.

KOHA: A është plani të qëndrosh më gjatë në SHBA apo mund të pritet ndonjë kthim i shpejtë në Evropë?

SHAQIRI: Karriera e futbollistit shkon shpejt, unë këtë vit mbush 31 vjet. Por jam mirë dhe nuk kam asnjë lëndim. Unë jam mirë fizikisht dhe shpresoj të luaj edhe shumë vjet futboll dhe kjo është më e rëndësishme për mua. Kam kontratë 3-vjeçare dhe ta shohim se çfarë do të na sjellë koha. E lë të hapur mundësinë për t’u kthyer në Evropë.

KOHA: Në Zvicër po vazhdojnë të dalin shumë futbollistë shqiptarë. Çfarë mendimi keni për këtë? A mund të presim që Zvicra edhe në të ardhmen të furnizojë me lojtarë Përfaqësuesen e Kosovës?

SHAQIRI: Kosova ka shumë talente, sidomos jashtë shtetit, por edhe në Kosovë. Kemi parë shumë lojtarë që luajnë në klube të ndryshme të Evropës, por që janë rritur në Kosovë. Pra, lëvizja e tyre është bërë nga liga e Kosovës në shtete shumë të mëdha. Kanë bërë një hap të madh. Kështu që ka shumë talente. Unë shpresoj që kur të hapen më shumë dyert për Kosovën të arrijnë më shumë, sepse besoj se kushtet nuk janë aq të mira në Kosovë si në Evropë për t’u përmirësuar si lojtar. Besoj se Kosova do të jetë një shtet shumë i mirë me shumë talente dhe do të ketë një ekip shumë të mirë.

KOHA: A keni pasur mundësi të përcillni Kosovën dhe Shqipërinë. Çfarë mendimi keni për dy përfaqësueset?

SHAQIRI: Kur kam kohë i përcjell gjithmonë si Shqipërinë ashtu edhe Kosovën. Por nganjëherë kemi edhe ne ndeshje dhe nuk arrij dot. Por, si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë ekipe të mira. Janë përmirësuar dhe çdo vit po bëhen më të mira. Sidomos Kosova këto vitet e fundit ka bërë një hap të mirë dhe shpresoj të përmirësohet edhe më shumë dhe të luajë ndaj ekipeve më të mëdha dhe të mësojë nga gabimet. Kur luan ndaj ekipeve më të mëdha mëson më shumë. Lojtarët duhet ta përballojnë lojën me ekipet më të mira në botë. Kosova do të jetë një ekip i mirë në Evropë.

KOHA: Si lojtar nuk ke pasur mundësi të luash për vendin e lindjes, Kosovën. Por pas përfundimit të karrierës a mund ta shohim Xherdanin në një projekt në Kosovë?

SHAQIRI: Njëherë po luaj ende futboll, por dëshiroj ta jap kontributin tim për Kosovën. Nuk i dihet pas pensionimit, por unë jam i gatshëm ta jap kontributin tim për Kosovën.

KOHA: Jeni futbollisti shqiptar me më së shumti trofe të fituar me klube të ndryshme. Cili është momenti juaj më i veçantë?

SHAQIRI: Kam pasur shumë momente të mira në karrierën time. Jo vetëm me tituj, por edhe me përvoja dhe stërvitjet me trajnerë të mëdhenj në botë. Por goli ndaj Serbisë është special në jetën time, pasi ka qenë një ndeshje me shumë emocione dhe siç e dimë ne historinë, mund të them se ka qenë shumë special goli i shënuar ndaj Serbisë. Është moment i madh në karrierën time.