Xherdan Shaqiri ka vetëm një synim të qartë përpara Kampionatit Botëror “Katari 2022”, që nis më 20 nëntor. Ai insiston se përgjatë këtyre javëve do të mundohet të përgatitet sa më mirë për këtë turne me skuadrën e Luganos. Shaqiri të hënën ka nisur stërvitjet me Luganon dhe do të jetë pjesë e seancave stërvitore të këtij klubi deri më 13 nëntor. E deri atëherë Shaqiri është i bindur se do ta mbajë formën.
Në fakt ai ka paralajmëruar se në Botëror do të shkojë maksimalisht i pushuar dhe në formën më të mirë të mundshme për ta ndihmuar Zvicrën të ketë rezultate të mira. Shaqirit i është mundësuar të stërvitet me Luganon pasi e ka përfunduar sezonin në SHBA, me Chicago Fire, ekip që nuk arriti të kualifikohej në garat e plejofit. Për shkak se Lugano dhe Chicago kanë të njëjtin pronar, Shaqirit i është dhënë mundësia ta mbajë formën përpara se t’i bashkohet Zvicrës në kampin stërvitor.
“Jam shumë i lumtur që kemi gjetur një zgjidhje dhe më është mundësuar të stërvitem me Luganon për të mbajtur formën. Kishte disa pengesa, por në fund gjithçka u zgjidh në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Shaqiri të mërkurën në konferencën për shtyp, ku qëndronte përkrah drejtorit të Përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami dhe trajnerit të Luganos, Mattia Croci-Toiri. “Është me rëndësi që po ndihem mirë dhe te Lugano do të jem edhe më i përgatitur pasi nuk do të mungojnë stërvitjet në prag të Kampionatit Botëror”.
Shaqiri ka insistuar se gjatë tërë kohës e ka në mendje Botërorin dhe për këtë arsye do të përpiqet ta japë më të mirën nga vetja në secilën seancë stërvitore me Luganon. Insiston se gjëja më e rëndësishme është ta mbajë formën dhe nuk e sheh problem mungesën e ndeshjeve gjatë kësaj periudhe.
“Kam luajtur shumë ndeshje këtë edicion, kështu që nuk do të harroj të luaj futboll përgjatë këtyre javëve. Fokusi im do të jetë në stërvitje, me Botërorin që më rri në mendje gjatë tërë kohës. Synimi është që të jem në formën më të mirë të mundshme për Botëror. Te Lugano mund të përgatitem mirë dhe kam mundësinë që të bëj gjëra tjera veç futbollit, siç është vrapimi apo ecja në park”, është shprehur Shaqiri. “Jam i emocionuar që sërish po stërvitem me një ekip zviceran dhe falënderoj Luganon që do të kujdeset për formën time. Në çdo stërvitje do të jap gjithçka nga vetja dhe do të jem maksimalisht i përgatitur për Botëror”.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në një të ardhme të afërt të transferohet te Lugano, që e ka quajtur një ekip fantastik dhe të përbërë me lojtarë premtues. Ndërsa, sa i përket Kampionatit Botëror, Shaqiri ka insistuar se Zvicra mund të jetë befasia më e madhe e këtij turneu. Zvicra është pjesë e Grupit G, së bashku me Brazilian, Kamerunin dhe Serbinë. Ndeshjen e parë në Botëror, Zvicra e luan më 24 nëntor kundër Kamerunit.
Botëror nuk ka limite për Zvicrën. Është turne dhe gjithçka është e mundur. Në mënyrë që të arrijmë diçka madhështore, duhet t’i tejkalojmë limitet tona. Kemi një ekip të ri dhe duhet të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të avancojmë nga grupi dhe kjo nuk është aspak e lehtë. Kemi kundërshtarë të fortë, por unë mendoj se ne mund të jemi befasia e Botërorit”, u shpreh Shaqiri.
Edhe
Shaqiri nis stërvitjet te Lugano
Edhe te Lugano kanë pranuar se janë të nderuar që ylli i Zvicrës po përgatitet me ekipin e tyre për Kampionatin Botëror. Trajneri Croci-Torti ka thënë se prania e Shaqirit në stërvitje gjatë këtyre javëve mund t’i motivojë lojtarët e tij dhe ekipi të ketë rezultate të mira në Superligën e Zvicrës.
“Është një situatë fituese për të dyja palët. Secili trajner ka dëshirë të ketë në stërvitje lojtar me teknikë fantastike dhe qëndrim pozitiv. Shaqiri është një shembull për ekipin tonë, saktësisht të gjithë lojtarët e skuadrës. Ata mund të mësojnë shumë prej tij dhe të motivohen, ndërsa Shaqiri mund ta mbajë formën duke u përgatitur me ekipin”, tha ai. “E kemi integruar mirë në ekip dhe të gjithë lojtarët kanë respekt të madh për Shaqirin. Ka duele në stërvitje, por edhe Shaqiri u gëzohet këtyre dueleve për shkak se është mënyra e vetme për t’u përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Ndërkohë drejtori i përfaqësueses zvicerane, Tami, ka falënderuar Luganon por edhe Chicago Fire për mundësinë që Shaqiri të mos qëndrojë pasiv gjatë kësaj periudhe. Ai ka thënë se te Zvicra presin që Shaqiri të jetë në top-formë për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.