Menaxheri i përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala, ka thënë se portieri i Kosovës, Aro Muriq, nuk ka thyer asnjë rregull kur është fotografuar në ambientet e hotelit me një vajzë.
Në internet ka qarkulluar një foto e portierit Muriq me një vajzë në ambiente të hotelit, ndërsa shiheshin edhe disa pije.
Shala i është përgjigjur pyetjes për Muriqin, ani pse ajo i ishte drejtuar seleksionuesit Bernard Challandes.
“Me Muriqin nuk ka ndodhur asgjë, janë fjalë të mediave. Është bërë në ambiente të hotelit fotoja, nuk janë të zhveshur, as në shtrat, e as nuk ka pije alkoolike. Ai i është përgjigjur kërkesës së një fanseje për një fotografi dhe atë me shumë mirësjellje. Aro Muriq i është përgjigjur me shumë mirësjellje një vajze në hotel për të marrë një fotografi. Nuk ka asgjë të turpshme”, ka thënë Shala në konferencën për media, duke thënë se nuk është bërë asnjë shkelje ani pse është situatë pandemie.
Ai, madje edhe ka ndërprerë konferencën, duke thënë se ka kaluar koha prej 30 minutave sa ishte paraparë, duke mos e lënë seleksionuesin të përgjigjet në një pyetje.