Sport

Sfidat e “jashtëzakonshme” të hendbollit

Taib Kabashi flet me plot emocion kur pyetet për sfidat që ka kaluar ai dhe hendbollistët tjerë të Kosovës gjatë viteve ‘80. Trajneri 60-vjeçar, që 45 vjetët e jetës së tij i ka kaluar në hendboll, atëbotë ishte lojtar i klubit Trepça. Kabashi tregon për sfidat e vështira që kanë kaluar atëbotë hendbollistët kosovarë.

“Për shkak të demonstratave të vitit 1981, ishte orë policore. Kemi qenë të detyruar t’i luajmë ndeshjet para se të niste ora policore. Kjo ka qenë në fillim, por më pas janë shtuar masat dhe nuk na lejuan më të luajmë në Mitrovicë”, ka treguar Kabashi për periudhën e kaluar 40 vjet më parë.

Trepça së bashku me Borcin e Ferizajt, gjatë kohës së demonstratave gjithëpopullore të shqiptarëve të vitit 1981, bënin gara në Ligën e Parë B të ish-Jugosllavisë. Hyrja e Trepçës në Ligën e parë qendrore ishte e arritur e jashtëzakonshme e sportit të Kosovës. Nga kjo skuadër, atëbotë dolën shumë emra të njohur.

“Pasi u ashpëruan masat, edhe pse ishim si vendas, ishim të detyruar që ndeshjet vendimtare të mbetura të stinorit pranveror t’i luanim si mysafirë. Kujtoj kur ktheheshim prej Zagrebit dhe qyteteve tjera, jemi maltretuar shumë. Kemi luajtur më shumë se shtatë ndeshje jashtë Mitrovicës. E gjithë kjo është para 39 vjetësh”, kujton ai.

Kabashi, që në të kaluarën ka qenë hendbollist e më vonë edhe trajner i disa klubeve të Kosovës dhe seleksionues i “Dardanëve”, është i bindur se ashtu sikurse shumë sfida tjera të jashtëzakonshme, do ta kalojnë edhe këtë sfidë të pandemisë COVID-19.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK), Izet Gjinovci, thotë se hendbolli ka kaluar nëpër sfida të jashtëzakonshme.

“Kuptohet se ka qenë një periudhë e vështirë, jemi përballur me shumë sfida përballë policisë serbe. Na kanë trajtuar shumë keq”, thotë Gjinovci... (Artikullin e plotë mund ta lexoni në Koha Ditore)