Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sezoni i ngjeshur në Zvicër do të mbyllet me dramën e ditës së fundit

Rreth 90 minuta para afatit të mesnatës së 3 gushtit, të caktuar nga UEFA për klubet që do të hyjnë sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve, Zvicra do të jetë liga e fundit evropiane në futboll që shkaku i vonesave nga pandemia do të përfundojë edicionin 2019/20, shkruan AP.

Liga Zvicerane do të ketë nevojë për të gjitha ato ditët në dispozicion për të përmbushur programin e saj - pas testeve të shumta pozitive për COVID-19 në një nga dhjetë klubet e saj - dhe ndoshta edhe për të gjetur një kampion të këtij sezoni.

“Ne jemi përsëri në rrugën e duhur”, ka pranuar drejtori i Përgjithshëm i ligës, Claudius Schaefer, duke shtuar se kritikat e klubeve nuk janë ideale në mes të kësaj situate, ku disa prej tyre janë të detyruara t’i zhvillojnë pesë ndeshje brenda 13 ditëve. “Nga ana sportive, është vërtet interesante dhe kemi ndeshje vërtet të mira deri në fund të këtij sezoni të zgjatur pas rasteve me koronavirus”.

Skuadrat që sfidojnë titullin e kampionit, Young Boysi dhe St. Galleni, do ta luajnë duelin në orën 20:30 të hënën e fundit për atë që mund të jetë edhe ndeshja vendimtare. Kampioni në fuqi, Young Boysi, po synon ta mbrojë titullin në këto ndeshjet e fundit, edhe pse nuk e ka aspak të sigurt për shkak të formës së mirë të St. Gallenit. Sezoni do të duhej të përfundonte më datën 2 gusht, derisa rezultuan testet pozitive te skuadra e Zuerichut këtë muaj, duke e detyruar ekipin që ta shtyjë ndeshjen që e luan në shtëpi kundër Sionit. Përshtatja e kësaj ndeshjeje shtesë ka bërë që të shtyhen përsëri dy xhirot e fundit për të gjitha skuadrat.

“Skandal”, kishte shkruar mesfushori i Sionit, Pajtim Kasami, për shtyrjen e ligës javën e shkuar në llogarinë e tij në “Twitter”.

Përballë një afati të vështirë nga UEFA për të hyrë në mesin e skuadrave që do të paraqiten në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës në sezonin e ardhshëm, liga zvicerane nuk mund ta zgjasë më shumë sezonin aktual. Dhe të gjithë e kanë parasysh se ky sezon duhet të përfundojë medoemos me datën 3 gusht, në mënyrë që ekipet të sigurojnë daljen në Evropë në momentin e fundit.