Sevilla do të ketë vizitë të vështirë në ligë. Të shtunën nga ora 21:00, andaluzianët luajnë në udhëtim te kampioni në fuqi i Spanjës dhe Evropës, Real Madridi. Kjo ndeshje i takon xhiros së 11-të të La Ligës.
Sevilla duhet të ketë kujdes nga lëndimet, pasi për trajnerin Jorge Sampaoli me rëndësi më të madhe mund të jetë ndeshja evropiane javën tjetër në shtëpi kundër Copenhagenit në Ligën e Kampionëve.
Real Madridi e mposhti pa telashe Elchen të mërkurën dhe morali e ka arritur pikën më të lartë. Carlo Ancelotti vazhdon të bëjë rotacione, por me kujdes të shtuar, pasi po mundohet ta përafrojë 11-shen më të fortë.
Reali është i pamposhtur nga Sevilla në shtatë ndeshjet e fundit. Ka gjashtë fitore dhe vetëm një barazim.
Formën ka nisur ta gjejë edhe futbollisti francez, Karim Benzema, që në këtë javë e fitoi “Topin e Artë”. Menjëherë në ndeshjen që e pati ndaj Elches, e gjeti rrugën e golit. Shënoi për duelin e dytë rresht.
Real Madridi është lider me 28 pikë. Ka tri më shumë se Barcelona, të cilën e mundi në “El Clasisco” në fundjavën e kaluar.
Barcelona e Xavi Hernandezit do të ballafaqohet me Athletic Bilbaon, të dielën nga ora 21:00.
Trajneri Ernesto Valverde do të jetë kundër Barçës, skuadër e cila e shkarkoi dy vjet e gjysmë më parë. Valverde do të mbështetet në shpejtësinë e vëllezërve Williams.
Barcelona mund të llogaritë në shërbimet e Robert Lewandowskit, që të enjten shënoi golin e 601 në karrierë.
Real Sociedadi, që është i treti në ligë me 22 pikë dhe në seri prej tetë fitoreve, do të luajë në udhëtim kundër Real Valladolidit të shtunën nga ora 16:15.