Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Selektori i Zambisë po hetohet nga FIFA pas akuzave seksuale

FIFA po heton një ankesë zyrtare se selektori i Përfaqësueses së Zambisë, Bruce Mwape, ka sulmuar seksualisht një lojtare në Kupën e Botës për futbolliste që po mbahet në Australi dhe Zelandë të Re. Mwape akuzohet se ka fërkuar gjoksin e njërës prej lojtareve të tij gjatë një seance stërvitore në Zelandën e Re më datën 29 korrik.

“Është marrë një ankesë”, tha shkurt një zëdhënës i FIFA-s në lidhje me këtë çështje.

Mirëpo, Federata e Futbollit të Zambisë (FAZ) insistoi se ende “nuk ka marrë asnjë ankesë të tillë” dhe se hetimi i FIFA-s në lidhje me një akuzë seksuale ndaj trajnerit është një “surprizë”. Incidenti i supozuar thuhet se ka ndodhur gjatë një seance stërvitore dy ditë përpara ndeshjes së fundit të Zambisë në fazën e grupeve kundër Kosta Rikës. Zambia mposhti 3:1 Kosta Rikën për ta regjistruar fitoren e saj të parë në një Kampionat Botëror.

“FIFA e merr jashtëzakonisht seriozisht çdo akuzë për sjellje të pahijshme dhe ka një proces të qartë për këdo në futboll që dëshiron të raportojë një incident”, shtoi zëdhënësi i FIFA-s.

Zambia është rikthyer në shtëpi, pasi është eliminuar nga Botërori, ku fazën e grupeve e mbylli në pozitën e tretë në Grupin C.

Edhe Kapiteni i Kepit të Gjelbër hetohet për dhunim Botërori 2026 Kapiteni i Kepit të Gjelbër hetohet për dhunim

“Të gjitha seancat stërvitore të ekipit janë filmuar nga ekipi i medias së federatës dhe deri më tani nuk është ofruar asnjë pamje e tillë siç po supozohet”, ka reaguar Federata e Zambisë. “Përveç kësaj, një ekip filmik i FIFA-s, i lidhur me ekipin e Zambisë në Kupën e Botës ishte i pranishëm në të gjitha seancat stërvitore”.

Federata e Futbollit të Zambisë, ka thënë se do ta hetojë rastin në tërësi për të vërtetuar edhe një herë akuzën e dërguar FIFA-s. Sipas saj, nëse ka diçka të ngjashme me akuzën, atëherë janë paralajmëruar masa të rrepta disiplinore.

“Ne, megjithatë, dëshirojmë të sigurojmë publikun se FAZ ruan standardet më të larta të integritetit dhe transparencës dhe kërkon gjithmonë sjellje etike të palëkundur të lojtarëve dhe zyrtarëve brenda dhe jashtë fushës së lojës”, ka bërë të ditur federata e Zambisë. “Prandaj, ne nuk do të hezitojmë të marrim masa disiplinore dhe të veprojmë për çdo sjellje të pahijshme pasi të marrim një ankesë zyrtare ose kur të paraqitemi me prova që kanë të bëjnë me një incident të supozuar”.

Edhe Policia e Zelandës së Re ka konfirmuar se ka pranuar një akuzë të tillë, por shtoi se ka ndalur hetimet pasi ashtu i është kërkuar.

Edhe Senegali po hetohet nga FIFA Sport Senegali po hetohet nga FIFA

“Ne u informuam për një incident të supozuar dhe pasi bëmë hetimet fillestare, nuk u kërkua të ndërmerren veprime të mëtejshme”, ka thënë zëdhënësi i policisë.

Akuzat për abuzim seksual kundër Mwape, i cili mori përgjegjësinë për ta udhëhequr ekipin e femrave të Zambisë në vitin 2018, u shfaqën gjithashtu vitin e kaluar në mediat sociale. FAZ tha në atë kohë se nuk kishte marrë asnjë ankesë zyrtare, por kishte hapur një hetim, duke shtuar se “ne i konsiderojmë këto akuza shumë serioze”. Mwape u pyet vazhdimisht për ato akuza në Kupën e Botës, por ai i mohoi të gjitha dhe këmbënguli se ato ishin “të rreme”.