Përfaqësuesja e Rumanisë ka vazhduar me përgatitjet për dy ndeshjet e këtij muaji, që i luan në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Rumania do të përballet me Kosovën dhe me Zvicrën në kuadër të Grupit I, ndërsa përzgjedhësi Edi Iordanescu beson se ekipi i tij mund të marrë rezultate pozitive prej të dyja ndeshjeve.
Rumania më 16 qershor luan me Kosovën në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Përfaqësuesen e Zvicrës. Fokusi i Iordanescut është te përballja që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Iordanescu në një intervistë, të martën, e ka vlerësuar Kosovën si rivale direkte të Rumanisë për një vend në Evropianin e vitit të ardhshëm. Rumania ka tubuar gjashtë pikë pas dy ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa Kosova ka dy pikë.
Iordanescu ka paralajmëruar futbollistët e tij se nuk do ta kenë aspak lehtë ndaj “Dardanëve”, që i ka vlerësuar lart në aspektin individual.
“Ndeshja me Kosovën do të jetë e zjarrtë. Është një luftë e madhe me të, në çdo aspekt, dhe këtë e kemi parasysh. Kosova është shumë e mirë individualisht dhe kur luan në shtëpi është shumë agresive. Andaj na duhet të jemi në nivelin tonë të detyrës dhe të synojmë rezultat pozitiv”, është shprehur Iordanescu.
Ai edhe një herë ka insistuar se Rumania do të vazhdojë të luftojë për një vend që garanton pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani. Sipas selektorit rumun rezultatet pozitive me Kosovën dhe Zvicrën janë të rëndësishme për rrugëtimin e Rumanisë drejt kualifikimit në kampionatin kontinental. Iordanescu ka thënë se është optimist i madh për të dyja ndeshjet. Ka pranuar se do të jetë i gatshëm të përballet me pasojat në rast të dështimit.
“Jam i bindur se mund të dalim mirë nga këto dy ndeshje. Duam të marrim sa më shumë pikë prej dy kundërshtarëve dhe sigurisht rezultate pozitive. Kjo edhe është arsyeja që e kam ndryshuar grupin e lojtarëve, për të luajtur më mirë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Jam në krye të ekipit për të gjetur zgjidhje dhe për të tejkaluar sfidat. Unë kam besim të madh në lojtarët që i kam zgjedhur për këto dy ndeshje”, ka shtuar Iordanescu.
Edhe
Selektori i Rumanisë beson në fitore ndaj Kosovës
Dy prej lojtarëve në të cilët Iordanescu i ka shpresat më të mëdha janë Ianis Hagi dhe Florinel Coman, që janë kthyer në përfaqësuese pas një kohe të gjatë. Të dy janë sulmues dhe pritet të jenë titullarë. Hagi aktivizohet te Rangersi në Skoci, ndërsa Coman është pjesë e ekipit nga Rumania, FCSB.
“Besoj se të gjithë lojtarët do të japin më të mirën nga vetja, përfshirë edhe të rikthyerit. Ka rikthime në ekip që i kemi pritur për një kohë të gjatë dhe mendoj që secili prej tyre do ta dëshmojë veten. Prej secilit lojtar pres që të tregojë vlera, ambicie, krenari dhe personalitet pasi këto janë elementet esenciale që të kemi një paraqitje të mirë”, tha selektori rumun.