Trajneri i njohur italian, Maurizio Sarri, ka marrë shembull ndeshjen e Kosovës me Andorrën për të kritikuar orarin e ngjeshur të ndeshjeve të futbollit.
Trajneri i Lazios ka thënë se do të ishte i lumtur po që se lojtarët e tij nuk paraqiten në ndeshjet ndërkombëtare dhe ka paralajmëruar se “nëse futbolli po bëhet vetëm biznes, në 10 vjet publikut s’do t’ia ndiejë fare për këtë sport”.
Përderisa ekipet te mëdha italiane në 30 ditë këtë muaj kanë 9 ndeshje të parapara në kalendar, Lazio e Sarrit është jashtë Kupës së Italisë dhe Ligës së Konferencës.
Pavarësisht kësaj, Sarri është shprehur kundër kalendarit të ngjeshur të futbollit.
“Jam i lumtur kur lojtarët e mi nuk ftohen për ndeshje ndërkombëtare. Matias Vecino fluturoi nga Roma në Japoni, nga Japonia në Kore dhe nga Koreja në Romë, për dy miqësore me Uruguain”, ka thënë Sarri në konferencë për media. “Kam dëgjuar krahasime me NBA-në, që është çmenduri, sepse lojtarët në basketboll janë në parket për vetëm 28 minuta në krahasim me 90 në futboll dhe keni shumë më shumë shkundje në futboll po ashtu”.
Pas kësaj, Sarri ka marrë shembull ndeshjen e Kosovës për të treguar se sa të rënda janë edhe ndeshjet ndërkombëtare.
“Nuk e kritikoj futbollin ndërkombëtar, thjesht nuk më intereson aspak. E kam shikuar 10 minuta ndeshjen Kosova-Andorra, i pashë të gjithë futbollistët në një zonë të rrezikshme dhe kam pyetur se çfarë dreqi po ndodh? E kritikoj kalendarin sepse kualiteti po bie, janë gjithmonë pesë apo gjashtë lëndime dhe nëse futbolli po bëhet biznes, atëherë për 10 vjet publikut të gjerë s’do t’i interesojë më ky sport”, ka thënë Sarri.
Kosova ka dominuar plotësisht ndeshjen me Andorrën në kualifikimet për Evropianin 2024, por në fund barazoi 1:1. Ndeshja u zhvillua të martën.