Përfaqësuesja e Egjiptit është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës.
Egjiptianët kanë shënuar fitore kundër Marokut me rezultatin 2:1 pas 120 minutash lojë.
Në triumfin e Egjiptit shkëlqeu Mohamed Salahu që shënoi golin e barazimit dhe asistoi te goli i fitores.
Koha e rregullt u mbyll 1:1 dhe fituesi u përcaktua pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta.
Sofiane Boufal e kaloi në epërsi Marokun në minutën e 7-të. Ai shënoi nga penalltia.
Egjipti e barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 52-të me golin e Mohamed Salahut nga afërsia. Për Salahun ishte goli i dytë në Kupën e Afrikës.
Brenda 90 minutave nuk kishte fitues dhe vazhdimet ishin përcaktuese se kush do të kalojë tutje.
Ishin egjiptian ata që me golin e Trezeguet në minutën e 100-të, siguruan gjysmëfinalen.
Punën te goli i dytë që e shënoi sulmuesi i Aston Villës i cili hyri në lojë në fillim të pjesës së dytë, e kreu Mohamed Salahu që asistoi.
Në gjysmëfinale, Egjipti do të përballet me Kamerunin që është nikoqir i turneut këtë vit.
Ndeshja do të luhet me 3 shkurt në “Olembe Stadium”.