Rusia ka bërë një ofertë shokuese për të pritur Kampionatin Evropian të futbollit një muaj pasi pushtoi fqinjin e saj dhe pa që ekipet e saj u pezulluan nga garat ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë. Deklarata e vonuar e interesimit për ofertë është një sfidë për Ishujt Britanikë, të cilët përmes ofertës së kombinuar menduan se ishte e pakundërshtueshme të prisnin shfaqjen e UEFA-s në vitin 2028 derisa edhe Turqia hyri në garë të mërkurën. Italia është shteti i vetëm që ka bërë ofertë për të organizuar Evropianin e vitit 2032 përveç Rusisë.
Një mbledhje e komitetit ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Rusisë (RFU) vendosi të mërkurën të “mbështesë vendimin për të deklaruar interesimin” në turnetë e vitit 2028 dhe 2032, tha organizata në një deklaratë përpara afatit përfundimtar për shprehjet e interesit që do të dorëzohen në UEFA. Federata e Rusisë nuk u pezullua nga UEFA pavarësisht ndalimit të skuadrave të saj për të luajtur që nga muaji i kaluar. Presidenti i RFU-së, Alexander Dyukov, gjithashtu është ende në komitetin ekzekutiv të UEFA-s dhe është kreu i një filiali të naftës së kompanisë shtetërore “Gazprom”, që u hoq si sponsor i Ligës së Kampionëve për shkak të luftës.
“Duhet të shfrytëzojmë rastin për të pritur Euron”, tha Dyukov për “Match TV” të Rusisë. “Do të jetë në stadiumet e Kupës së Botës dhe ne e kemi të zhvilluar infrastrukturën për këtë ngjarje”.
Rusia priti Kupën e Botës të vitit 2018 dhe stadiumi në të cilin u zhvillua finalja – Luzhniki Stadium - u përdor javën e kaluar për një tubim në mbështetje të presidentit Vladimir Putin.
“Ne e kemi dërguar deklaratën për organizimin e Evropianit”, tha Dyukov. “Ne supozojmë se Rusia tashmë është e përgatitur për të pritur gara të nivelit të lartë. Ne kemi përvojë”.
Plani i pamundur i Rusisë me siguri do të përballet me kundërshtime të egra. Polonia, Suedia dhe Çekia kishin njoftuar në mënyrë të pavarur se do të refuzonin të luanin me Rusinë në plejofin për kualifikim në Botërorin “Katari 2022” edhe në territorin neutral – përpara vendimit të FIFA-s për të pezulluar Rusinë. UEFA do t'u sigurojë ofertuesve kërkesat e turneut të mërkurën e ardhshme dhe më pas do të konfirmojë kandidaturat e tyre më datën 5 prill. Afati i fundit për të dorëzuar dosjet e ofertës përfundimtare nuk është deri në prill 2023, me një vendim nga komiteti ekzekutiv i UEFA-s, që e ka shtyrë deri në muajin shtator të vitit të ardhshëm.
“Ne rezervojmë të drejtën për të hyrë në një ofertë”, tha Dyukov. “Ky opsion nuk kushton asgjë. Dhe, nuk mund ta refuzosh, nëse nuk është e shtrenjtë.”
Oferta për Ishujt Britanikë udhëhiqet nga Anglia dhe përfshin gjithashtu Irlandën, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut.