Organizatori i Kampionateve Evropiane, rusi Alexej Sorokin ka thënë se Rusia mund të aplikojë për t’u bërë nikoqire e Kampionatit Evropian në vitin 2028 apo në vitin 2032.
“Kam vështirësi të flas me kolegët në Federatën e Futbollit të Rusisë. Por, mendoj se do të ishte logjike. Një aplikim i pavarur do të ishte i përshtatshëm për shkak të infrastrukturës dhe eksperiencës tonë”, ka thënë 49-vjeçari për “Sport Express”.
Evropiani i tanishëm 2020 luhet në 11 shtete, përfshirë edhe Rusinë me St. Petersburgun.
Nikoqirja e Kupës së Botës 2018 do të jetë nikoqire e gjashtë ndeshjeve të grupeve dhe një çerekfinaleje.
Evropiani i vitit 2024 tashmë është caktuar që të luhet në Gjermani.
“Mendoj se përgatitjet për këtë garë i kanë treguar UEFA-s se jemi partner i besueshëm, të gatshëm për çdo situatë dhe për çdo ndihmë nëse ka nevojë. Nëse vendoset nga UEFA, ne do të ishim të kënaqur”, ka thënë Sorokin.