Drejtuesit e Federatës së Hendbollit të Rumanisë janë në presion të madh nga komuniteti sportiv në këtë vend, pasi Përfaqësuesja e Kosovës e mposhti bindshëm atë të Rumanisë, të dielën mbrëma. Ndeshja e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2022” përfundoi 30:25 në të mirë të Kosovës. Ndeshja e luajtur në Bukuresht u dominua nga lojtarët e Kosovës. Ndeshjen në fakt e nisën më mirë vendasit, por nuk vonoi shumë para se lojtarët e Kosovës të kalonin në epërsi dhe të udhëhiqnin deri në fund.
Rumania kishte fituar me mbi dhjetë gola dallim tri sfidat e para me Kosovën. Të mërkurën e kaluar ndeshja në Prishtinë përfundoi me rezultat të barabartë, ndërsa të dielën Kosova mori pikët në Rumani. Tani Kosova ka gjasa reale për kualifikim historik në Evropian.
Hendbolli vlerësohet sport nacional në Rumani. E kaluara e Rumanisë në hendboll është shumë e pasur. Rumunët kanë katër tituj të botës dhe dy vende të treta. Të artën e fundit botërore e kanë fituar në vitin 1974, ndërsa të bronztën në vitin 1990. Në Lojëra Olimpike, Rumania ka fituar katër medalje, një të argjendtë e tri të bronzta. Të bronztën e fundit e fitoi në vitin 1984. Por tradita e pasur nuk ka kryer punë të dielën mbrëma.
Rumania e ka edhe ligën shumë të zhvilluar e po ashtu lojtarë në klube të ligave të mëdha evropiane. Gjithë këto fakte kanë bërë që në Rumani me shumë vështirësi ta pranojnë humbjen nga Kosova, që nuk ka ndonjë lojtar në nivele të larta. Ka pasur të tillë që humbjen e kanë vlerësuar si turpëruese. Disa kanë dhënë edhe deklarata që mund të konsiderohen fyese.
Mediat rumune i kanë kushtuar shumë rëndësi rezultati të ndeshjes.
“Nuk e di se cila fjalë është më e keqe, poshtërim apo turp. Komuna e Kosovës na ka mposhtur. Është si të luajë një komunë në vendin tonë me një ekip nga Bukureshti”, ka theksuar Gheorghe Tadici, trajner i njohur në Rumani. “Problemi është mënyra sesi hendbolli i meshkujve është udhëhequr në dhjetë vjetët e fundit. Vetëm këtë vit rregulli për përfshirjen e dy rumunëve në lojë është paraqitur”, ka shtuar Tadici që nuk e sheh të ardhmen e hendbollit rumun si të ndritur.
Rumania nuk ka luajtur në Evropian që nga viti 1996 dhe ka gjasa të mëdha që të mbetet sërish jashtë. Aktualisht i ka tri pikë nga katër ndeshje, njëjtë si Kosova. Mali i Zi ka dy pikë nga tri ndeshje, kurse udhëheq në grup Suedia me 6 pikë nga tri ndeshje.
Kampioni i dyfishtë botëror, Stefan Birtalan, ka thënë se humbja është poshtëruese.
“Është vështirë të thuhet ndonjë fjalë. Jam thjesht i shokuar me atë që ndodhi. Ishte një javë e keqe, pasi edhe ndeshja e parë ishte befasi e madhe. Është poshtërim. Problemi është që kemi jetuar ditën, për fat të keq, që një ekip i formuar një apo dy vjet më parë si Kosova të na mposhtë në shtëpi. Kishte gabim serioz në strategji në këto dy ndeshje”, ka theksuar 72-vjeçari Birtalan.
Kryetarit të Federatës së Hendbollit të Rumanisë i është kërkuar dorëheqja pas humbjes së pësuar nga Kosova, ndërsa ai e ka mbrojtur veten.
Është një tjetër kampion i dyfishtë botëror, Radu Voina, që ka thënë se hendbolli rumun nuk mund të vazhdojë me Alexandru Dedun si kryetar të Federatës. Ai nuk ka kursyer as lojtarët e trajnerët.
“Kur barazuam në Kosovë nuk kam ditur se çka të them. Kam menduar se është një aksident. Por tani ajo Kosovë erdhi dhe na mposhti në Bukuresht. Nuk është më rastësi”, ka theksuar Voina.
Sipas tij, hendbolli rumun ka rënë në nivelin e katërt dhe më poshtë nuk mund të bjerë. Ai ka kritikuar qasjen e Federatës për të angazhuar trajnerë të huaj.
“Më kanë thirrur disa shokë. Nuk është shaka, më kanë pyetur se ku është Kosova në hartë dhe se a luhet hendboll atje. U kam thënë se luhet për afro pesë vjet”, ka shtuar Voina.
Në të vërtetë, qasja fyese dhe ofenduese e rumunëve vlerësohet se ka ndikuar në rezultatin e madh të së dielës. Edhe lojtarët rumunë nuk e kanë respektuar sa duhet Kosovën, që ua shkaktoi humbjen e madhe.
Në Kosovë hendbolli luhet për shumë dekada, ndërsa Përfaqësuesja ka nisur me ndeshje zyrtare që nga viti 2014, pas pranimit me të drejta të plota në EHF. Por së fundmi po bëhen hapa para. Fitorja ndaj Rumanisë vlerësohet më e madhja e Kosovës ndonjëherë.
“Prej presidentit Dedu e deri te njeriu i fundit në Federatë le të japin dorëheqje”, ka theksuar Radu Voina.
Një tjetër legjendë e hendbollit rumun, Cezar Nica, ka thënë se “janë turpëruar para botës”. Ai ka pyetur se si Rumania mund të pësojë në shtëpi nga Kosova.
I pari i Federatës rumune, Alexandru Dedu, ka thënë se fjala turpërim është e rëndë. Sipas tij, ishte një humbje e dhimbshme.
“Turpërimi është fjalë e rëndë. Është thënë shumë që për mua ishte e tepërt. Mund të them se ka pakënaqësi të plotë. Sa i takon përfaqësueses së re, të mos harrojmë që Kroacia u bë e pavarur në vitin 1995 dhe në vitin 1996 ishte kampione olimpike. Dua të them që në ish-Jugosllavi nuk mund të flisni për një përfaqësuese të re. Nëse shohim Botërorin e fundit, shumë prej vendeve të ish-Jugosllavisë ishin prezentë. Në kontekstin aktual, është humbje që dhemb”, ka thënë Dedu.
Ndërkohë te Kosova atmosfera është krejt ndryshe. Ka entuziazëm për kualifikimin e parë në Evropian. Edhe Federata Evropiane e Hendbollit ka shkruar për gjasat e mira të Kosovës për kualifikim në “Euro 2022”. Shumë do të varet prej ndeshjes së 28 prillit ndaj Malit të Zi në Prishtinë. Prej saj do të përcaktohet nëse bilanci pozitiv ndaj Rumanisë do të jetë i mjaftueshëm për paraqitje në ngjarjen më të madhe kontinentale.