Sport

Rugji, portieri i etur për të shënuar shumë gola

Armend Rugji e ka vetëm një detyrë për ta kryer gjatë një ndeshjeje futbolli. Puna e tij për 90 minuta është që t’i presë gjuajtjet e futbollistëve kundërshtarë drejt portës së tij. Por kjo nuk e kënaq portierin me përvojë në futbollin kosovar.

Dëshira e tij e madhe është që në çdo ndeshje të shënojë ndonjë gol, shkruan Koha Ditore.

E dëshirën e kamotshme të Rugjit ia plotësoi trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi.

Portieri 34-vjeçar e ka shënuar golin e tij të parë në një ndeshje kampionale në fitoren 23 shkurtit të këtij viti të Ballkanit ndaj Ferizajt në Suharekë me rezultatin 3:0.

Rugji e shënoi golin e fundit nga penalltia në minutën e 90-të. Gëzimi i Rugjit ishte i madh. E më i madh ishte gëzimi i trajnerit Munishi që Rugji arriti ta realizonte ëndrrën e karrierës. Për mundësinë e dhënë, Rugji i është falënderues trajnerit Munishi.

“Unë kam qenë lojtar për një periudhë të shkurtër para se të bëhesha portier. Nuk kam shënuar asnjë gol në ndeshje zyrtare dhe kam kërkuar nga trajneri Ismet Munishi të ma mundësojë të shënoj gol për ta shijuar atë moment që më kishte mbetur pa e shijuar si lojtar”, ka thënë Rugji.

Portieri prizrenas ka edhe kërkesën e dytë. Ai shpreson që ta ketë mundësinë ta shënojë edhe një gol për, siç thotë ai, të hyrë në histori të futbollit kosovar duke u bërë portieri i parë që në Kosovë ka shënuar më shumë se një gol.

Rugji është i bindur se edhe këtë kërkesë do t’ia plotësojë trajneri Munishi gjatë këtij edicioni.

“Shpresoj ta kem mundësinë këtë vit të shënoj edhe një gol për të hyrë në histori të portierëve të Kosovës. Asnjë portier në Kosovë nuk ka shënuar dy apo tre gola. Dëshira ime është të gjuaj shumë penallti, por nëse do ta kem mundësinë edhe për ndonjë gjuajtje të lirë, do ta gjuaj pa problem”, ka theksuar ai.

Por, ai e pranon se mund të dështojë nëse do të gjuante nga një distancë e largët edhe pse është i gatshëm për ta testuar veten....(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)