Klubi pejan i futbollit, Rilindja 1974, e ka humbur 2:1 ndeshjen nga Drenica, të dielën. Ndeshja i takoi javës së katërt të Grupit A të Ligës së Parë të Kosovës.
Por dy golat e pranuar janë vlerësuar shumë të dyshimtë në klubin pejan. Te Rilindja 1974 dyshojnë se portieri i tyre, Armend Ruxhi, ka lëshuar golat.
Si dëshmi kanë postuar dy golat e pranuar nga Ruxhi, të cilin e kanë suspenduar. Rilindja 1974 kërkon hetim për golat që duket se janë pranuar shumë lehtë.
“Pas ndeshjes së xhiros së katërt ndërmjet KF Rilindja 1974 dhe KF Drenica, dhe pas analizimit të detajuar të video-incizimeve dhe rrjedhës së ndeshjes, KF Rilindja 1974 ka vendosur të suspendojë për një kohë të pacaktuar portierin tonë, Armend Ruxhi, deri në zbardhjen e plotë të dyshimeve të ngritura. Ne kërkojmë nga organet kompetente të Federatës së Futbollit dhe drejtësisë që të hetojnë sa më shpejt këtë rast, pra angazhimin e portierit tonë gjatë kësaj ndeshje”, shkruan në reagimin e klubit Rilindja 1974.
Portieri me përvojë në futbollin kosovar, Ruxhi, ka mohuar akuzat e klubit të tij.
“Nuk janë aspak të vërteta. Që sa vjet luaj futboll, vetëm një gol kur po e pranoj unë po bëhet e madhe shumë kjo punë. Nuk po kuptoj”, ka thënë Ruxhi për KOHËN.
Prizrenasi 38-vjeçar ka bërë karrierë te Liria, Ballkani, Phoenixi, Vushtrria, Fushë Kosova dhe Prizreni.