Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrugëtimi në kahe të kundërta: Rënia e Kosovës dhe ngritja e vazhdueshme e Maqedonisë V.

“Keni dëshmuar se si një vend i vogël mund të luftojë me gjigantët e futbollit”. Kështu, ndër të tjera, shkruan në urimin që presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, legjenda Dejan Saviçeviq, ia ka dërguar të hënën Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe presidentit të saj, Muhamed Sejdini.

Të dielën mbrëma, përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll arriti një sukses të madh. Sukses historik. Përfundoi e dyta në grup dhe do të luaj në plejof për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Pak orë pasi Maqedonia e Veriut festoi, Kosova kompletoi një cikël kualifikues të vlerësuar të pasuksesshëm. Mbeti e fundit në grupin kualifikues për Botëror, për herë të dytë rresht.

Njëjtë si Maqedonia e Veriut dhe ajo e Malit të Zi, edhe Kosova llogaritet përfaqësuese e vogël e futbollit evropian. Dhe në këtë cikël, të “vogla” i kishte edhe rezultatet. Për dallim nga Maqedonia e Veriut që u rendit e dyta në grup dhe ndër të tjera, e mposhti Gjermaninë në një ndeshje.

Maqedonia e Veriut ka përvojë dukshëm më të gjatë se Kosova në skenën ndërkombëtare. Kjo mund të jetë përparësia e saj e vetme karshi Kosovës. Dy përfaqësueset vlerësohet se kanë cilësi të përafërt. Lojtarët luajnë në nivele thuajse të njëjta, ndonëse Kosova ka dyfish më shumë lojtarë në top-ligat evropiane.

Jo shumë kohë më parë, Maqedonia e Veriut dhe Kosova ishin në një pikë të njëjtë. Ishte 8 tetori i vitit 2020 kur në Shkup, Maqedonia e Veriut dhe Kosova e luajtën ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020”. Përfaqësuesja e vendit fqinj u mobilizua më mirë, e deshi më shumë fitoren dhe ngadhënjeu 2:1 ndaj Kosovës, që nuk i kishte në përbërje disa prej lojtarëve kryesorë.

Edhe #Profili - Euro 2020: Te Maqedonia e Veriut ëndërrojnë për sukses në Evropian Euro 2020 #Profili - Euro 2020: Te Maqedonia e Veriut ëndërrojnë për sukses në Evropian

Në një mënyrë, ajo ndeshje ishte pikë kthese për të dyja përfaqësueset. Më 12 nëntor të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut fitoi 1:0 ndaj Gjeorgjisë në finale të plejofit, dhe siguroi pjesëmarrjen në Euro 2020, të shtyrë për këtë vit për shkak të pandemisë. Kishte dështimet e saj rrugës, sa i takon rezultateve, por pikë të ndritur arriti më 31 mars kur fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Gjermanisë, në kualifikimet për Botërorin 2022.

Në verë luajti në Evropian. Humbi 3:1 nga Austria, 2:1 nga Ukraina dhe 3:0 nga Holanda. Si pjesëmarrje e parë në një ngjarje të madhe, paraqitja u vlerësua solide. Ikona Goran Pandev u pensionua dhe kishte të tillë që vlerësonin se pa Pandevin, Maqedonia V. nuk do të kishte forcën e njëjtë. Por kjo u demantua shpejt. Me trajner të ri, Maqedonia e Veriut vazhdoi të mbledhë pikë në kualifikimet për “Katari 2022”. Madje pensionimi i Pandevit sikur u dha hov lojtarëve të tjerë. Elif Elmas, Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Darko Velkovski e disa të tjerë siguruan fitore të vlefshme. Me fitoren 3:1 ndaj Islandës, Maqedonia e Veriut siguroi plejofin. Alioski shënoi një gol e Elmas i realizoi dy.

Maqedonia V. u rendit e dyta me 18 pikë, ndërsa grupin, ashtu si pritej, e fitoi Gjermania. Gjermanët mblodhën 27 pikë, ndërsa humbjen e vetme e pësuan nga Maqedonia e Veriut. Rumania mbeti e treta, Armenia e katërta e Islanda e pesta. Grupi nuk ishte i lehtë.

Grup të lehtë nuk kishte as Kosova. Por mbeti në fund të tij me vetëm pesë pikë nga tetë ndeshje. Spanja avancoi në Botëror, Suedia në plejof, ndërsa Greqia e Gjeorgjia u renditën në pozitat tre e katër. Kosova fitoi ndaj Gjeorgjisë dhe kishte dy barazime ndaj Greqisë, të fundit të dielën mbrëma në Athinë.

Natyrisht është pritur shumë më tepër nga “Dardanët”. Por goditja që morën në ndeshjen në Shkup, la pasoja. Vjet u humbën ndeshje nga Sllovenia e Shqipëria, ndërsa këtë vit nga Suedia, Spanja, Guinea, Gjeorgjia. Madje edhe nga Jordania. Sukseset ishin të rralla, ndërsa ndeshjet që kënaqën shikuesit edhe më të pakta. Pati një reagim në ndeshjen ndaj Greqisë (1:1), të dielën në Athinë, por vetëm në 15 minutat e fundit. Deri atëherë grekët ishin dominantë.

Bernard Challandes është larguar nga posti i selektorit dhe një trajner i ri pritet të emërohet së shpejti. Por telashet nuk vlerësohet se kanë të bëjnë vetëm me trajnerin. Këtë e kanë pranuar edhe vet lojtarët, që ishin kritikë për paraqitjet e përfaqësueses.

Edhe Kampanja që bëri botën e futbollit të flasë për Kosovën Futboll Kampanja që bëri botën e futbollit të flasë për Kosovën

Kosova tashmë është në pozitën e 113-të në ranglistën e FIFA-s, ndërsa Maqedonia e Veriut mban vendin e 74-t.

Te Maqedonia e Veriut kanë vlerësuar kompaktësinë e grupit si arsye për rezultatet e mira në vitet e fundit. Kjo në fakt është sfiduese. Federatën e udhëheq shqiptari Muamed Sejdini, ndërsa Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Arijan Ademi e Visar Musliu janë prej lojtarëve kryesorë në përfaqësuese. Të tjerët janë maqedonas, ndërsa Elis Elmas është një tjetër shtyllë. Zhveshtorja e Maqedonisë së Veriut duket të jetë e bashkuar dhe kjo po sjell suksese. Jo gjithnjë ishte kështu dhe jo gjithnjë shqiptarët bashkohen në festën e lojtarëve maqedonas. Por kur vjen puna në fushë, ekipi duket i bashkuar.

Kosova nuk i ka brengat që Maqedonia e Veriut i ka, apo të paktën i ka pasur. Por rezultatet po mungojnë. Dy ndeshjet e fundit dëshmuan se problemi nuk ka qenë vetëm te Challandesi. Ndoshta duhet të merret ndonjë mësim nga Maqedonia e Veriut, mënyra se si menaxhohet përfaqësuesja.

“Te ekipi përfaqësues i Maqedonisë së Veriut ka ndryshuar shumë çka në përgjithësi. Nga stafi profesional, te presidenti dhe të tjerët që punojnë për ekipin. Nuk ka të bëj vetëm me ne që luajmë. Forca është te komuniteti. Kjo ka munguar 6-7 vjet më parë. Mendoj se tani jemi ku duhet dhe gjithnjë mund të jetë më mirë. Katari është larg, na presin ndeshje të vështira në plejof, por duhet të besojmë në ekipin tonë, në kualitetin që kemi”, ka thënë Ezgjan Alioski, njëri prej lojtarëve kryesorë të Maqedonisë së Veriut.

“Në zhveshtoren tonë nuk ka të zinj e të bardhë, shqiptarë e maqedonas. Ka një fanellë dhe ne e kemi dëshmuar këtë”, ka thënë kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Stefan Ristovski.

Te Kosova kanë pranuar se është koha që të reagohet, që të përmirësohen rezultatet. Por jo çdo gjë varet nga lojtarët. Varet edhe nga mënyra e menaxhimit të ekipit, nga ajo se kush do të jetë selektor, ndër të tjera.

Edhe Plejofi i dytë i Kosovës, një “botë larg” të parit Futboll Plejofi i dytë i Kosovës, një “botë larg” të parit

Përfaqësuesja ka kohë që nuk ka dhënë arsye për ta uruar. Aktualisht urimet shkojnë në një adresë tjetër, te Maqedonia e Veriut.

“Maqedonia edhe njëherë ka dëshmuar se me punë të vazhdueshme dhe të përgjegjshme, çdo vend i vogël mund të arrij rezultate të mëdha dhe mund të gjej rastin të luftoj i barabartë me gjigantët e futbollit evropian për të marrë pjesë në ngjarje të mëdha”, shkruan në urimin e Dejan Saviçeviqit.