Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Nga Polonia e Lewandowskit te Sllovakia “mosnjohëse” – kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në plejof

Kosova - Plejof

Të martën mbrëma kanë përfunduar kualifikimet e rregullta evropiane për Kupën e Botës 2026 në futboll. Kosova e Shqipëria do të paraqiten për herë të parë në plejof, që është faza e dytë dhe e fundit kualifikuese për Botërorin e futbollit.

Në bazë të pozitave në ranglistën e FIFA-s, Kosova e Shqipëria do të jenë në vazon e tretë për shortin e plejofit, që tërhiqet të enjten nga ora 13:00. Në vazon e tretë janë edhe Irlanda dhe Bosnjë-Hercegovina.

Në gjysmëfinale të plejofit, përfaqësueset e vazos së tretë do të përballen me ato të vazos së dytë. Në vazon e dytë janë Polonia, Uellsi, Çekia dhe Sllovakia.

Në gjysmëfinalet e 26 marsit të vitit të ardhshëm, përfaqësueset e vazos së dytë do të jenë vendase.

Të gjitha përfaqësueset e vazos së dytë vlerësohen cilësore, por jo të pakalueshme për Kosovën.

Edhe Plejofi i dytë i Kosovës, një “botë larg” të parit Futboll Plejofi i dytë i Kosovës, një “botë larg” të parit

Kosova u rendit e dyta në grup me Zvicrën, Slloveninë e Suedinë. Dhe cilësi të përafërt me këto përfaqësuese kanë Polonia, Uellsi, Çekia e Sllovakia.

Me Poloninë, Kosova nuk ka luajtur deri më tani. Polonia u rendit e dyta në Grupin G. I mblodhi 17 pikë, tri më pak se Holanda. Prapa la Finlandën, Maltën e Lituaninë.

Sulmuesi i Barcelonës, Robert Lewandowski, është lojtari më i njohur i Polonisë. Por polakët kanë edhe lojtarë të tjerë cilësorë.

Uellsi doli i dyti në grup me Belgjikën, Maqedoninë e Veriut, Kazakistanin dhe Lihtenshtajnin. Uellsi përfundoi me 16 pikë, dy më pak se Belgjika e tri më shumë se Maqedonia e Veriut.

Në ndeshjen vendimtare për vendin e dytë, të martën mbrëma në Cardiff para 32 mijë shikuesve, e “shkatërroi” 7:1 përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut. Uellsi ka përfaqësuese cilësore me shumë lojtarë në Premier League. Edhe me Uellsin, Kosova nuk ka luajtur deri më tani.

Çekia mbeti prapa Kroacisë në Grupin L. I mblodhi 16 pikë, gjashtë më pak se Kroacia. Çekët ishin më lartë se Ishujt Faroe, Mali i Zi dhe Gjibraltari. Çekia është përfaqësuesja e vetme me të cilën është përballur Kosova, prej katër përfaqësueseve të vazos së dytë.

Edhe UEFA shkruan për synimin e madh të Kosovës, “tregon” çka e trimëron Fodan Futboll UEFA shkruan për synimin e madh të Kosovës, “tregon” çka e trimëron Fodan

Me golat e Vedat Muriqit dhe Mërgim Vojvodës, Kosova e kishte mposhtur 2:1 Çekinë, më 7 shtator 2019 në “Fadil Vokrri”. Ishte ndeshje e vlefshme për kualifikimet për Euro 2020.

Më 14 nëntor 2019 në Plzen, Çekia kishte fituar 2:1 ndaj Kosovës. Atdhe Nuhiu e kishte realizuar golin.

Ai cikël kualifikues ishte më i miri i Kosovës deri te ky për Botërorin 2026. “Dardanët” kishin përfunduar në vendin e tretë në grup me 11 pikë. Anglia ishte e para me 21, Çekia e dyta me 15. Bullgaria mbeti prapa Kosovës me gjashtë pikë dhe Mali i Zi me vetëm tri.

Sllovakia është kundërshtarja tjetër e mundshme e Kosovës në gjysmëfinale të plejofit. Sllovakia nuk e njeh shtetin e Kosovës, por sportistët kosovarë kryesisht nuk kanë pasur telashe në këtë vend. Edhe sllovakët patën kualifikime të mira. Përfunduan në vendin e dytë në grup me Gjermaninë. Gjermania i mblodhi 15 pikë, Sllovakia 12, Irlanda e Veriut nëntë dhe Luksemburgu mbeti pa pikë. Në shtator, Sllovakia e kishte mposhtur 2:0 Gjermaninë në Bratisllavë. Por gjermanët e fituan 6:0 ndeshjen vendimtare për vend të parë me Sllovakinë, të hënën në Leipzig.

Kosova me Sllovakinë nuk ka luajtur deri më tani.

Nëse e kalon kundërshtarin e gjysmëfinales, në finale të plejofit Kosova do të luajë me përfaqësuese të vazos së parë apo të katërt. Finalet janë më 31 mars, ndërsa nikoqirët do të përcaktohen përmes shortit.

Edhe Sllovakia kundërshtarja e radhës që nuk e njeh Kosovën Futboll Sllovakia kundërshtarja e radhës që nuk e njeh Kosovën

Në vazon e parë për short janë Italia, Danimarka, Turqia dhe Ukraina. Ndërkohë vazon e katërt e përbëjnë fitueset e grupeve në Ligën e Kombeve, që në kualifikimet e rregullta nuk ishin në dy pozitat e para në grupe: Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut dhe Irlanda e Veriut.

Kualifikimi eventual në Botëror do të ishte sukses historik si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.