Sport

Rrugëtimi i veçantë i holandezit Hoffman deri te Ballkani

Futbollistët profesionistë nga Holanda mund të gjenden në çdo cep të botës, prej ligave të forta elitare të Evropës deri tek ekipet aventuriste në kontinentet e tjera. Një prej këtyre lojtarëve është Dilivio Hoffman, i cili u largua muajin e shkuar nga ekipi i divizionit të tretë të Holandës, TEC, për të luajtur për Ballkanin e Suharekës, që synon titullin e kampionit në Kosovë, ka shkruar të martën “Voetbalzone.nl”.

Hoffman kishte menduar që të hipte në aeroplan dhe të kthehej në Holandë muajin e shkuar, disi i zhgënjyer. Mirëpo, pak para se të bëhej gati të fluturonte nga Samsuni i Turqisë, atij i cingëroi telefoni. Në linjë ishte agjenti Gunter Thiebaut, i cili e njoftoi se një klub nga Kosova kishte shprehur interesim ta shihte në stërvitje. Në momentin që e mori lajmin, Hoffman vendosi që të fluturonte drejt Antalias dhe jo Holandës.

“Përfundimisht ishte një përgjigje pozitive nga ana ime dhe i thashë ‘po’, edhe pse isha bërë gati të kthehem në shtëpi te familja dhe e dashura ime”, ka pranuar Hoffman. “Ishte sërish një mundësi e madhe për mua që të bëhem sërish lojtar profesionist, në një klub të madh. Kjo edhe ishte arsyeja që menjëherë u ktheva në Antalia”.

Hoffman kishte qenë më herët në Antalia për prova te skuadra e Samsunsporit, ku kishte shkuar me rekomandimin e një ish-trajneri të tij. Sulmuesi 24-vjeçar u stërvit për një periudhë me ekipin e divizionit të dytë turk dhe la përshtypje të mira te shtabi teknik. Klubi donte ta transferonte, por nuk kishte vend të lirë për të regjistruar edhe një lojtar të huaj. Realisht ai nuk do të mund të luante për Samsunsporin pa u larguar ndonjëri prej të huajve që ishin në ekip.

“Nuk doja vetëm të stërvitesha dhe mos të luaja asnjë ndeshje. Ky nuk ishte opsioni më i mirë për karrierën time. Do ta humbisja ritmin e ndeshjeve. Nuk isha i dëshpëruar, por më vinte keq që punova aq shumë për t’u bërë profesionist dhe nuk ia dola të isha pjesë e një klubi, ndonëse isha afër”, tha Hoffman.

Si lojtar, Hoffman është rritur në akademinë e Excelsiorit dhe ka luajtur për ekipet U21 të Twentes e Den Boschit, përpara se të zhdukej nga futbolli profesionist në vitin 2019. Gjatë kësaj periudhe ai ka luajtur te ekipet amatore De Treffers dhe TEC, me bindjen se do të bëhet një ditë profesionist edhe pse gjërat vështirësoheshin me kalimin e viteve.

“Nuk ishte lehtë, kam punuar shumë dhe kam pritur rastin tim. Isha i bindur se kam cilësitë për të luajtur në një klub profesional, por kurrë nuk më është dhënë rasti. Besimi ishte dhe unë doja me çdo kusht të bëhesha profesionist”, ka pranuar Hoffman.

Kur Ballkani ia dha mundësinë që të provohet, ai nuk kishte aspak dyshime dhe ishte i bindur se do të jetë pjesë e këtij ekipi. Dhe nuk zgjati shumë. Hoffman impresionoi stafin e klubit në prova dhe atij iu i ofrua menjëherë kontrata.

“Nuk dija asgjë për Kosovën dhe nuk e kisha idenë se ku do të përfundojë. Por, kur kuptova se mund të luajë në Ligën e Konferencës, Ligën e Evropës apo edhe Ligën e Kampionëve, nuk hezitova për asnjë moment. Këtu u realizua ëndrra ime, ndonëse nëpërmjet një rrugëtimi tjetër që nuk e kam parashikuar për asnjë moment. Por jam lojtar profesionist dhe këtë e kam dashur gjithmonë”, shtoi sulmuesi.

“E pata një stërvitje dhe menjëherë e luajta një ndeshje që shkoi shumë mirë pasi asistova dy herë. Pas ndeshjes së dytë klubi më tha se është i kënaqur me mua dhe procedura e transferimit përfundoi shumë shpejt”.

Ai ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2024, ndërsa ka dy javë që është vendosur në Kosovë. Hoffman insiston se është përshtatur mirë, ndonëse komunikimin me trajnerin Ilir Daja e bën nëpërmjet përkthyesit. Por jo edhe me lojtarët, të cilët flasin gjuhën angleze.

“Po ndihem shumë mirë, bashkëlojtarët më kanë ndihmuar të përshtatem dhe janë aty nëse më duhet ndonjë gjë. Me trajnerin flas me përkthyes pasi nuk di shumë fjalë në gjuhën shqipe, por kam kohë ta mësoj pasi kam edhe dy vjet kontratë. Edhe njerëzit në qytet më kanë mirëpritur dhe ka prej tyre që kërkojnë të bëjnë fotografi me mua”, ka thënë Hoffman.

Ai është i kënaqur me nivelin e punës që bëhet në stërvitjet e Ballkanit kurse Superligën e Kosovës e sheh si trampolinë për ta vazhduar karrierën diku në Evropë.

“Duhet të jap më të mirën nga vetja këtu, të luaj dhe të shënoj gola për ta ndihmuar klubin të arrijë synimin. Nëse e bëj këtë jam i bindur se ofertat nga klubet e tjera do të vijnë”, tha Hoffman, i cili në ndeshjen e parë të kampionatit të Kosovës ka dhuruar një asistim në fitoren 4:1 ndaj Dukagjinit.

“Jam i kënaqur me debutimin tim në Kosovë, por më shumë do të isha i kënaqur nëse e fitojmë titullin e kampionit. Kjo do të ishte madhështore për mua, sepse nga futbollisti amator papritmas do të luaj në raundet eliminatore të Championsit”.