Beto do ta kompletojë transferimin tek Evertoni nga skuadra e Udineses. Për sulmuesin nga Portugalia kjo është një arritje e madhe në karrierë, duke pasur parasysh se vite më parë ka punuar në KFC.
Beto të dielën i ka kaluar me sukses kontrollimet mjekësore tek Evertoni, ekip që do ta prezantojë të martën si përforcimin më të ri. Për transferimin e tij, Evertoni është pajtuar t’i paguajë Udineses 35 milionë euro dëmshpërblim. Ekipi nga Premier League kishte tentuar transferimin e Betos edhe në janar, por Udinese kishte refuzuar shitjen e tij. Në ndeshjen e fundit të Serie A, Beto u la jashtë ekipit dhe te Udinese u zëvendësua në sulm nga italiani Lucca.
Beto iu bashkua Udineses në vitin 2021 nga Portimonense për 7 milionë euro dhe në elitën e futbollit të Italisë ka shënuar 21 gola në 62 paraqitje. Edicioni i tij debutues në Itali ishte më i miri, pasi realizoi 11 gola në 28 ndeshje të luajtura. Gjatë kohës sa ishte pjesë e Udineses, Beto ka pasur uljet dhe ngritjet e tij. Por do të mbahet mend në stadiumin “Dacia Arena”. Nganjëherë ishte i pandalshëm, ndërsa në disa raste joproduktiv. Golin e parë në Serie A e shënoi në tetor të vitit 2021 kundër Sampdorias, duke shtuar gjashtë të tjerë në 12 ndeshjet pasuese. Portugezi nuk e gjeti golin nga janari i vitit të shkuar deri më 4 mars, duke i dhënë fund pritjes me “hat-trick” në ndeshjen e Udineses në shtëpi ndaj Cagliarit. Edicionin e fundit Beto e përfundoi para kohe. U detyrua që tetë ndeshjet e fundit t’i shikojë nga tribunat për shkak të lëndimit të një muskuli të këmbës. Ka vlerësime se portugezi nuk e ka arritur potencialin e plotë në Itali, ndonëse ishte golashënuesi më i mirë tek Udinese në edicionin 2022/23. Ndërsa edicionin paraprak e përfundoi si golashënuesi i dytë më i mirë në klub pas Gerard Deulofeu, një tjetër fytyrë familjare për tifozët e Evertonit.
Megjithatë rrëfimi i Betos mbetet njëri prej rrëfimeve me inspiruese në futbollin profesionist, jo vetëm në Serie A. Në fillim të karrierës si profesionist, Beto ka punuar edhe në KFC në Portugali dhe kombinonte punën në restorant me stërvitjet e ndeshjet.
“Kam punuar në KFC dhe ishte mirë. Sa herë që kthehem tani në shtëpi, unë shkoj në restorantin e KFC-së për të vizituar shokët. Gjithmonë kam besuar se do të bëhem futbollist dhe ia kam dalë mbanë, përkundër që punoja në KFC”, është shprehur Beto. “Unë kam dashur të bëhesha lojtar profesionist, por bashkëlojtarët e mi nuk besonin aspak. Madje ata vazhdimisht më thoshin që të dorëzohesha sepse është mision i pamundur. Megjithatë, kur u transferova te Portimonense të gjithë ndërruan mendjen”.
Beto gjithashtu ka folur për punën që e bënte në KFC. Ai kujdesej për ta shërbyer dhe përgatitur pulën e skuqur. Beto insiston se pavarësisht përvojës nuk e tepron me ngrënien e mishit të pulës.
Edhe
Evertoni transferon Beton
“Unë nuk ha shumë pulë të skuqur”, pranoi ai. “Ishte një përvojë e bukur, por më duhej të zgjohesha herët ndërsa mua më pëlqen të fle shumë. Më pëlqen të qëndroj në shtëpi dhe të luaj ‘Call Of Duty’ më shumë se FIFA”.
Beto shpreson që një ditë të marrë ftesë edhe nga Përfaqësuesja e Portugalisë. Ai ka lindur në Portugali, ndërsa emri i tij i plotë është Norberto Bercique Gomes Betuncal. Thotë se të gjithë e njohin me emrin Beto, të cilin edhe e mban në fanellë.