Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten ka konfirmuar edhe pesë sportistë që do të paraqiten në Lojërat Evropiane që mbahen këtë verë në Poloni. Në listë janë shtuar dy sportistë të kajakimit, një shenjëtar, një shigjetar dhe një çiklist.
Ekipi i Kosovës për edicionin e tretë të Lojërave Evropiane tashmë ka arritur në shifrën e 35 sportistëve.
Lojërat Evropiane është pretenduar të jenë një “olimpiadë kontinentale”, por rritja e ngjarjes nuk është ajo e synuar. Dhe dallimi mes Lojërave Olimpike dhe Lojërave Evropiane vazhdon të jetë shumë i madh.
Edicioni i parë i Lojërave Evropiane është mbajtur në Baku të Azerbajxhanit në vitin 2015. Pak muaj më herët Kosova ishte pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe Lojërat Evropiane, që në fillim quheshin nga disa entuziastë edhe Lojërat Olimpike Evropiane, ishin ngjarja e parë shumësportëshe për Kosovën.
Komiteti Olimpik i Kosovës dërgoi delegacion të madh, që përfshinte 19 sportistë. Medalje fitoi vetëm xhudistja Nora Gjakova. Ajo fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa ngjarja llogaritej edhe Kampionat Evropian i Xhudos për seniorë.
Edicioni i dytë i Lojërave Evropiane u mbajt në Minsk të Bjellorusisë. Kosova dërgoi vetëm 12 sportistë, ndërsa u kthye me tri medalje. Sërish fituan vetëm xhudistët dhe sërish ngjarja llogaritej Evropian i xhudos për seniorë. Majlinda Kelmendi fitoi medalje të artë, Nora Gjakova të argjendtë e Loriana Kuka të bronztë.
Lojërat e treta Evropiane mbahen prej 21 qershorit deri më 2 korrik në Krakow dhe Malopolska të Polonisë.
“Deri më tani i kemi të konfirmuar 35 sportistë që do të garojnë në Lojërat Evropiane. Nuk besojmë se do të ketë të tjerë”, ka thënë Kushtrim Krasniqi, zëdhënës i KOK-ut.
Pesë të fundit, si edhe shumica e sportistëve të tjerë kosovarë, marrin pjesë me ftesë. Në fakt mënyra e kualifikimit në Lojëra Evropiane dallon nga sporti në sport.
Xhudistët nuk marrin pjesë për shkak se ngjarja nuk e ka rëndësinë që e kishte në dy edicionet e para. Nuk vlen më si Kampionat Evropian. Xhudoja në Lojëra Evropiane është kthyer në garë ekipore dhe Federata kosovare vendosi të mos marrë pjesë.
Atletika do të prezantohet me 20 sportistë. Boksi do t’i ketë shtatë, taekwondo një e teqballi dy. Gara në atletikë është ekipore dhe Kosova garon në nivelin e tretë. Pra nuk mund të fitojë medalje. Kështu që shpresat më të mëdha për medalje janë nga boksi.
Të enjten janë konfirmuar Blandine Xhemajli dhe Lorand Gjoshi në kajakim, Nexhat Sahiti në shenjëtari, Edi Dvorani në shigjetari dhe Samir Hasani në çiklizëm malor.
Në Lojëra Evropiane pritet të paraqiten sportistë nga 48 shtete të ndryshme. Do të mbahen 259 ngjarje në 26 sporte të ndryshme. Jashtë ngjarjes shumësportëshe kanë mbetur sportistët e Rusisë dhe Bjellorusisë.
Synim i Kosovës do të jetë kthimi me medalje. Por mbetet të shihet nëse kjo është e mundur në mungesë të xhudistëve.