Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rreth 120 nxënës të Kaçanikut dëshmohen edhe në volejboll

Të ndarë në dy ekipe të përziera, djem dhe vajza të shkollave fillore të mesme të ulëta të Kaçanikut, për herë të parë kanë marrë pjesë në një turne të volejbollit.

Mundësinë për t’i dëshmuar vlerat e tyre ua ka dhënë klubi i volejbollit Kaçaniku, i mbështetur nga organizata CDF, në kuadër të programit “BRICK”.

Ky turne për nder të çlirimit të Kaçanikut që organizohet për herë të parë, është mbajtur në mes të muajit qershor në palestrën e shkollës fillore “Emin Duraku”, ku morën pjesë rreth 120 nxënës të shkollave të Kaçanikut.

Ndryshe nga turnetë e zhvilluara në futboll, ai në volejboll u mbajt në ambient të mbyllur, por as në sallën e shkollës fillore nuk mungoi muzika dhe argëtimi i të rinjve të Kaçanikut.


Menaxherja e programit “BRICK”, Rina Fetahaj është e kënaqur që ia arritën të jenë pjesëmarrës në organizimin e këtij turneu në sportin e volejbollit.

Ajo ka theksuar se edhe në turnetë e ardhshme në të gjitha sportet, do të synohet pjesëmarrja e djemve dhe vajzave në një ekip.

Edhe Rritet cilësia e turneut në basketboll në Kaçanik Sport Rritet cilësia e turneut në basketboll në Kaçanik

Nga ana tjetër, njëri nga arsimtarët e edukatës fizike që në këtë turne kishte edhe rolin e trajnerit, e cilësoi të rëndësishëm organizimin e këtyre turneve.

Turneu u zhvillua me sistem të eliminimit, ku ekipi i cili i fitonte dy sete me nga 15 pikë, ecte tutje deri në finalen e madhe.

Gjysmëfinalja ishte ndeshja më interesante e këtij turneu, ku shkolla “Emin Duraku” e mposhti në një duel dramatik shkollën “Qamil Ilazi”, për të shkuar në finale atje ku e priste shkolla “Ali Asllani”.

Në finale “Emin Duraku” fitoi 2:0 në sete ndaj “Ali Asllanit”, për ta marrë trofeun e vendit të parë në sportin e volejbollit.

Pavarësisht garës ndërmjet vete, nxënësit ishin tejet të lumtur që po merrnin pjesë në turneun e parë të volejbollit në këtë qytet.

Në fund u ndanë edhe mirënjohje për më të dalluarit.

Lojtarja më e mirë u shpallë Leonita Livoreka e shkollës fillore “Emin Duraku”, kurse çmimin si lojtari më i miri e mori Endrit Dervishi i po të njëjtës shkollë.

Ndërsa, mirënjohja për ekipin më “Fair Play” i takoi shkollës fillore “Dituria” nga fshati Ivaj.

Ky projekt është i mbështetur nga organizata CDF në kuadër të programit “BRICK”.