Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrëfimi emocional i ukrainasit të Zuerichut

Ukrainasi Bohdan Viunnyk iku për në Zvicër në mars, për t’i shpëtuar luftës në vendin e tij. E tëra që mori me vete ishte një çantë shpine dhe këpucët e futbollit. 20-vjeçari ka gjetur lumturinë te Zuerichu, ndërsa i duket si ëndërr e gjitha. Te Zuerichu janë disa futbollistë shqiptarë

Bohdan Viunnyk (20) qëndron ulur në qendrën stërvitore të FC Zuerichut dhe lëkund kokën kur mendon për dhjetorin e vitit të kaluar.

“Kam pasur ndeshjen e fundit para pushimit dimëror me Mariupolin. Ëndrra ime për të luajtur jashtë vendit, dukej shumë e largët. Por tani qëndroj ulur këtu si lojtar i Zuerichut dhe kam luajtur në Ligën e Evropës, duke përfshirë edhe ndaj Arsenalit, në praninë e 50 mijë shikuesve. Më duket se jam në një film fantastik”, ka thënë Viunnyk.

Gazeta e madhe zvicerane, Blick, ka publikuar në fundjavë rrëfimin për këtë lojtar.

Viunnyk ende nuk po mund ta besojë rrugëtimin që ka pasur në vitin e luftës në vendin e tij. Ai shkoi në Zvicër si refugjat me vetëm këpucët e futbollit në çantën e shpinës. Dhe ndërkohë fitoi mundësinë e papritur në një klub në Evropën Perëndimore.

“Ëndrra ime u realizua. Por në një mënyrë krejt ndryshe prej asaj që e kam menduar”, thotë ukrainasi i ri.

Edhe BBC me shkrim të gjatë për Xhakën, që u fye tek Arsenali por ringjalli karrierën Botërori 2026 2 j. më parë BBC me shkrim të gjatë për Xhakën, që u fye tek Arsenali por ringjalli karrierën

Futbollisti është në mes të vuajtjes për shkak të situatës në shtëpi dhe gëzimit personal në futboll.

“E falënderoj Zotin që tani jam në Zvicër me familjen dhe që mund të festojmë Krishtlindjen këtu. Por po ashtu jam i brengosur për njerëzit në Ukrainë. Ata jetojnë pa rrymë elektrike dhe pa ngrohje. Shpesh nuk mund të dëgjohem me shokët për ditë të tëra”.

Një kamp stërvitor mund ta ketë shpëtuar jetën e anëtarit të Ukrainës U21. Kur lufta filloi, ai ishte në Turqi me FK Mariupol. Nuk kishte më fluturime për në Ukrainë. Blloku i ndërtesave ku jetonte ai u bombardua si shumë të tjerë. Kujtime emocionale, si fanella e Donetskut nga debutimi në Champions ndaj Real Madridit mbetën prapa, shkruan Blick.

Por më e rëndësishmja ishte që Viunnyk ishte gjallë. Me ndihmën e disa miqve zviceranë, ai u vendos në Zvicër.

Më pas prindërit dhe familjarë të tjerë të Viunnykut u larguan nga Ukraina falë ndihmës nga Zvicra.

“Kjo ishte brenga ime më e madhe. Nuk e di se çka do të ndodhte me ta nëse nuk do të largoheshin”.

Viunnyk është nga Kharkivi, që është goditur rëndë nga lufta. Kthimi në Ukrainë nuk është çështje aktualisht.

“Nuk kemi se ku të kthehemi”, thotë Viunnyk.

Ai ende shikon fotografitë e ditës së parë në Zvicër. Njëri prej atyre që e ndihmoi të largohet, i mundësoi një provë te Zuerichu U21.

Edhe Hajdari tregon për kërcënimet pas vendimit që të kalojë nga Zvicra te Kosova Futboll 1 muaj më parë Hajdari tregon për kërcënimet pas vendimit që të kalojë nga Zvicra te Kosova

Ish-lojtari i juniorëve të Donetskut shfaqi aq shumë cilësi sa që kaloi te profesionistët e Zuerichut në verë. Por u desh të kalojnë disa javë para se klubi që ka kartonin e Viunnykut, Shakhtar Donetsku, të zyrtarizonte marrëveshjen e huazimit.

“Përveç luftës, ky ngërç i verës më rëndoi shumë. Doja shumë të qëndroja. Kur u vendos përfundimisht, kam qarë nga gëzimi”, thotë sulmuesi. Ai ka 12 ndeshje e dy gola me Ukrainën U21.

Viunnyk tani po e jeton ëndrrën e futbollit së bashku me prindërit. Babai i tij ka gjetur një punë si bashkëpunëtor i policisë, ndërsa nëna e futbollistit shet parfume në një qendër tregtare. Ata ia kanë kushtuar jetën karrierës së Bohdanit.

Sulmuesi i Zuerichut duket më i pjekur se 20-vjeçarët e tjerë. Ai mohon që lufta ia mori rininë.

“Jam vendosur në Kiev i vetëm në moshën 14-vjeçare, për të luajtur futboll. Kështu u rrita më shpejtë. Fokusi im është në sport. Punoj shumë përë këtë”, thotë Viunnyk.

Ai nuk shënoi gola në vjeshtë, ndërsa vendosi që mos të pushojë mes dy stinorëve. Ka punuar i vetëm në sallën e fitnesit për javë të tëra.

Të ketë një karrierë si Andrei Shevchenko është synimi i tij.

“Edhe kur ka nisur lufta unë kam ushtruar. Kam dashur të jem i gatshëm nëse fillon sërish futbolli”.

Edhe Rrugëtimi i veçantë i Valmir Matoshit Futboll 2 muaj më parë Rrugëtimi i veçantë i Valmir Matoshit

Mundësia i erdhi shumë më shpejt se që ka shpresuar. Falë shumë rrethanave të përshtatshme dhe besimit të Zuerichut.

“Nuk dua që më të shihem si refugjat, por si futbollist”, thotë ai.