Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrahmani ndihet krenar që luan për Napolin dhe për Kosovën

Nga Kosova në Napoli, duke kaluar nëpër Kroaci dhe me përvojë të rëndësishme në Verona. Amir Rrahmani tashmë është bërë element kryesor i mbrojtjes së skuadrës së trajnerit Luciano Spalletti dhe si të gjithë futbollistët ai ka në mendje synimin: të përmirësohet për të arritur të gjitha objektivat e mundshme me fanellën e klubit napolitan.

Tashmë autor i katër golave në më shumë se 40 paraqitje për Napolin, mbrojtësi nuk ka limite në botën e futbollit. I lindur në Kosovë në vitin 1994, Rrahmani ka zbuluar shumë gjëra për jetën e tij përpara se t’i bashkohej Napolit. Ai ka thënë se kur ishte fëmijë nuk e ka pasur në mendje që të bëhej futbollist, pasi në kokë kishte disa ide të tjera.

“Kam lindur në Kosovë dhe kur kam qenë i vogël nuk kam menduar kurrë për futbollin. Kisha gjëra të tjera në mendje, ndoshta më të rëndësishme. Vetëm kur u kthyem në shtëpi nga lufta, babai im më la të filloj të luaj futboll. Kam filluar që në moshën 8-vjeçare në një ekip në Prishtinë, por nuk mbaj në mend shumë nga ajo periudhë. Në fakt kam humbur të afërm dhe shokë kështu që nuk i mbajëkujtimet e këqija nga ajo periudhë”, është shprehur Rrahmani.

Ai ka pranuar se në kontaktin e parë me topin ka rënë në dashuri me futbollin. Rrahmani ka thënë se karriera e tij është ngritur hap pas hapi, duke filluar nga rangu i dyti i futbollit kosovar.

“Kam filluar të luaj në Kosovë dhe në moshën 17-vjeçare kam luajtur në ekipin e parë që ishte në kategorinë e dytë. Vitin tjetër shkova në kategorinë e parë dhe më pas në Kroaci, përpara se të mbërrija në Itali. Karriera ime ndoqi një rrugë hap pas hapi deri sa mbërrita në Verona. Si i ri ndoqa shkollën dhe shkova në futboll, ia dola mirë dhe më pas u pasionova edhe më shumë pas futbollit. Doja të luaja sepse kisha kaq shumë miq atje, ndoshta më shumë se sa në shkollë. Të ndryshoja ekipe dhe vende nuk ishte e lehtë për të bërë mirë në të dy frontet, por për fat të mirë shkoi kështu”, ka thënë Rrahmani.

Qendërmbrojtësi nuk ndihet krenar vetëm që luan për Napolin, por edhe për Kosovën. Ai në vitin 2016 vendosi të largohet nga Shqipëria për ta veshur fanellën e vendlindjes së tij.

“Nuk kisha synime në futboll, sepse ata që kishin lindur në Kosovë vështirë se dilnin jashtë përpara. Në momentin që UEFA dhe FIFA e pranuan Kosovën unë isha ndër të parët që e pranova ftesën për të qenë pjesë e Kosovës”, shton Rrahmani. “Isha te Shqipëria dhe për mua ishte privilegj, një emocion që nuk mund të përshkruhet”.

Edhe Rrahmani krenar me Kosovën, synon paraqitjen në Evropian apo Botëror Sport 1 v. më parë Rrahmani krenar me Kosovën, synon paraqitjen në Evropian apo Botëror

Dy vjet më parë, në janar të vitit 2020, Rrahmanit i erdhi thirrja nga Napoli dhe ndodhi kërcimi cilësor në karrierën e tij. Ai te Napoli u transferua pas paraqitjeve të mira që i pati te Verona për një edicion në Serie A.

“Pas një viti te Verona, Napoli më kontaktoi dhe menjëherë e pranova ftesën. Jam i lumtur me zgjedhjen që e kam bërë pasi është një ekip që luan në nivele të larta dhe gjithmonë ka synime të mëdha në secilën garë dhe ndeshje që paraqitet. Si qytet, Napoli ka një histori të pasur dhe intrigon. Është një qytet i mrekullueshëm”, tha Rrahmani. “Tani dua të vazhdoj me këtë formë, pasi është vetëm fillimi i karrierës sime. Është fillimi i Amir Rrahmanit, i cili sigurisht që mund t’i japë më shumë futbollit”.

28-vjeçari ka kontratë me skuadrën e Napolit deri në verën e vitit 2024, ndërsa këtë edicion në 35 ndeshje në të gjitha garat ka realizuar tri gola. Ai ka edhe gjashtë gola në 42 ndeshje për Kosovën, ku e mban shiritin e kapitenit. /Corriere Dello Sport