Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrahmani mungon në stërvitjen e Napolit, në dyshim ndaj Ajaxit

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani mbetet në dyshim për ndeshjen që Napoli e luan kundër Ajaxit të mërkurën mbrëma në kuadër të Ligës së Kampionëve. Rrahmani ka munguar në stërvitjen e së hënës për shkak se është dashur t’i nënshtrohet terapisë, përpara se të martën të bëjë testet për diagnozën e saktë të lëndimit.

Kështu, ka njoftuar Napoli në sajtin zyrtar të hënën. Rrahmani pësoi një lëndim në ndeshjen e fundit të Napolit në Serie A, në fitoren 4:1 ndaj Cremoneses. Ai u detyrua të zëvendësohet në minutën e 82-të. Te Napoli ende nuk janë të sigurt për shkallën e lëndimit të Rrahmanit derisa të dalin rezultatet e testit. Paraqitja e tij kundër Ajaxit mbetet në dyshim.

“Rrahmani ka pasur terapi të hënën, ndërsa të martën do t’i nënshtrohet testeve për ta kuptuar diagnozën e saktë”, thuhej në raportin e Napolit të lëshuar për stërvitjen e së hënës.