Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrahmani me Napolin eliminohen nga Kupa e Italisë

Fiorentina do të luajë kundër Atalantas në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Të enjten në mbrëmje, Fiorentina fitoi në udhëtim te skuadra e Napolit me rezultatin 5:2, pas vazhdimeve, në ndeshjen ku u panë tre kartonë të kuq. Amir Rrahmani luajti titullar dhe i kompletoi 120 minuta për napolitanët.

Dushan Vlahoviq shënoi për epërsinë e vizitorëve në minutën e 41-të, ndërsa Dries Mertens për mrekulli barazoi shifrat tre minuta më pas. Bartlomiej Dragowski i mysafirëve u ndëshkua me të kuq në minutën e dytë shtesë në pjesën e parë.

Pas pushimit, Cristiano Biraghi i Fiorentinës realizoi për 2:1 në minutën e 57-të.

Hirving Lozano i vendësve u ndëshkua me të kuq gjashtë minuta para fundit të duelit, kurse Fabian Ruiz u përjashtua pas kartonit të dytë të verdhë. Por, për befasinë e mbrëmjes u përkujdes Andrea Petagna që shënoi në minutën e pestë të shtesës dhe e dërgoi lojën në vazhdime.

Me dy lojtarë më pak, Napoli nuk arriti që t’i ndalte sulmet e Fiorentinës që shënoi tri herë. Lorenzo Venuti në minutën e 106, Krzysztof Piatek në minutën e 108 dhe Youssef Maleh në minutën e 119, shënuan për ta dërguar Fiorentinën tutje.