Sport

Rrahmani ia kushton familjes dy golat e parë në Rumani

Albion Rrahmani ka pritur disa javë për të debutuar për Rapidin e Bukureshtit. Por që në ndeshjen e parë ka lënë gjurmë.

Rrahmani të premten mbrëma shënoi dy gola në fitoren 5:3 të Rapidit në udhëtim tek U Craiova. Hyri si zëvendësues dhe shënoi dy golat e fundit për Rapidin.

Rrahmani ka mbetur i impresionuar nga tifozët e Rapidit, ndërsa ka thënë se synon titullin e kampionit të Rumanisë.

“Shpresojmë që në fund të edicionit të jemi në pozitën e parë. Kishte presion, por jam i lumtur që kam shënuar dy gola. Ia kushtoj ata familjes sime, që shpresoj se është krenare me mua. Është e përkryer, kemi tifozë të jashtëzakonshëm. I duam ata, luajmë për ata”, ka thënë Rrahmani pas debutimit plot shkëlqim.

Ai ka thënë se nuk ka rëndësi se kush luan por që skuadra të fitojë.

“Projekti i Rapidit është perfekt për mua. Kam ardhur me zemër të hapur dhe jam i lumtur që kam firmosur këtu”, ka shtuar Rrahmani, që u transferua te Rapidi nga Ballkani i Suharekës për 600 mijë euro.