Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrahmani e vlerëson pozitiv sezonin e Napolit

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, e ka vlerësuar tejet pozitiv këtë sezon të Napolit në Serie A, ka raportuar “Tuttomercatoweb” të hënën. Sipas tij, sigurimi i një vendi që sezonin e ardhshëm dërgon në Ligën e Kampionëve mund të vlerësohet i suksesshëm.

Napoli do ta mbyllë sezonin në pozitën e tretë në Serie A, ndonëse ka mbetur edhe një xhiro deri në fund të tij. “Ndoshta, po të kishim më shumë fat, do të arrinim më shumë këtë sezon. Megjithatë, mund të them se është një kampionat pozitiv, pasi arritëm të sigurojmë pjesëmarrjen në Champions”, ka thënë Rrahmani. Po ashtu, ai ka folur edhe për largimin e kapitenit Lorenzo Insigne, i cili do ta vazhdojë karrierën në SHBA.

“Do të na mungojë shumë, sepse një lojtar i tipit të Insignes gjithmonë i nevojitet ekipit, në veçanti kur është kapiten”, tha ai.

Rrahmani 27-vjeçar ka pasur paraqitje të mira këtë sezon te Napoli, ku ishte ndër lojtarët më stabilë në ekipin e trajnerit Luciano Spalletti. Në 41 paraqitje në të gjitha garat, ai ka kontribuar edhe me katër gola. Po ashtu, ditë më parë është raportuar se Rrahmani pritet së shpejti ta rinovojë kontratën me Napolin, e cila i skadon në vitin 2024.

Artikuj të ngjashëm