Mbrojtësi i krahut të majtë, Danny Rose, do të largohet nga skuadra e Tottenhamit gjatë këtij muaji. Mediumet angleze kanë raportuar të premten se drejtuesit e Tottenhamit kanë vendosur t’ia shkëpusin kontratën 30-vjeçarit që i skadon në fund të sezonit.
Rose këtë edicion nuk e ka asnjë ndeshje me Tottenhamin pasi është përjashtuar nga ekipi i parë dhe po stërvitet me rezervistët e klubit. Zyrtarizimi i shkëputjes së kontratës pritet të bëhet gjatë këtyre ditëve dhe Rose menjëherë do të vazhdojë karrierën te ekipi tjetër nga Premier League, West Bromwich Albion me të cilin tashmë ka arritur marrëveshje.
Rose është pjesë e Tottenhamit prej vitit 2007 kurse ka luajtur edhe te Newcastle e Sunderlandi në Premier League. Ai ka edhe 29 paraqitje me Anglinë.