Ish-sulmuesi anglez Wayne Rooney thotë se kishte frikë se mund të kishte vdekur ose vrarë dikë në pikën më të ulët të problemeve të tij me alkoolin.
Menaxheri i Derby County dhe golashënuesi rekord për Manchester Unitedin dhe Anglinë ka folur për BBC përpara publikimit të një dokumentari të ri për jetën e tij.
Ai zbuloi vendet më të errëta ku e kanë çuar alkooli dhe problemet e shëndetit mendor dhe i pyetur se cila ishte frika e tij më e madhe në ato momente, ai u përgjigj: "Me siguri vdekja".
Duke folur për “gabimet” që kishte bërë, 36-vjeçari shtoi: “Mund të ishte vozitja në gjendje të dehur, gjë që e kam bërë unë, mund ta kisha vrarë dikë – mund ta vrisja veten. E dija se kisha nevojë për ndihmë, për të shpëtuar veten, por edhe për të shpëtuar familjen time”.
Rooney gjithashtu zbuloi se ai mendonte se duhej të mbante sekret shumë nga problemet e tij si lojtar.
"10, 15 vjet më parë, nuk mund të shkoja në dhomën e zhveshjes dhe të thoja 'Po luftoj me alkoolin, po luftoj me shëndetin mendor'. Nuk mund ta bëja këtë", rrëfeu Rooney.