Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ronaldo i lumtur për trofeun e parë me Juventusin

Cristiano Ronaldo është ndarë shumë i kënaqur që ka shënuar golin e fitores për trofeun e tij të parë me Juventusin.

Ai shënoi golin e vetëm në Superkupën e Italisë ndaj Milanit, transmeton Koha.net.

Portugezi thotë se ishte një ndeshje shumë e vështirë.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, është shumë nxehtë dhe vështirë të luhet në këto kushte. Luajtëm mirë, krijuam shumë shanse, dhe jam i lumtur që shënova golin e fitores”, është shprehur Ronaldo për Rai Sport.

Ai thotë se synimi i tij ishte të niste 2019 me trofe.

“Jam i lumtur, kisha synim të nisja 2019 me trofe, tani kam titullin e parë me Juventusin dhe jam shumë i kënaqur. Ky është vetëm fillimi, shkojmë hap pas hapi. Fituam këtë Kupë, tani duhet të punojmë të arrijmë trofetë e tjera. Serie A është gjithmonë objektivi ynë, jemi në krye të tabelës, por është një turne shumë i gjatë dhe do të jetë shumë i vështirë prandaj duhet të punojmë shumë”, është shprehur portugezi. “Këtë gol ia dedikoj ekipit, familjes time, shoqërisë, dhe të gjithëve në botë që duan Juventusin dhe Cristianon”.