Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, ka bërë të ditur se përfundimi i karrierës te Manchester Unitedi ka qenë periudha më e vështirë e karrierës së tij. Ronaldo hasi në vështirësi për të gjetur vend në formacioni titullar në fillim të edicionit tek Unitedi.
Luajti vetëm 10 ndeshje, ndërsa katër herë ishte titullar. Pak para fillimit të Botërorit, iu bashkua skuadrës Al-Nassr në Arabinë Saudite, me kontratën e vlefshme deri në vitin 2025.
“Ndonjëherë duhet të kalosh nëpër disa gjëra për të parë se kush është në anën tënde. Në një fazë të vështirë, mund të shohësh se kush është me ty. Nuk e kam problem ta them, kam pasur ecuri të keqe në karrierë, por nuk ka koha për keqardhje. Jeta vazhdon, mirë apo keq, është pjesë e rritjes time. Kur jemi në majë të malit, shpesh nuk mund të shohim se çfarë ka poshtë. Tani jam i përgatitur dhe ai mësim ishte i rëndësishëm, sepse asnjëherë nuk kam kaluar nëpër situata të tilla si në muajt e fundit. Tani jam person më i mirë”, ka thënë Ronaldo të mërkurën për “Sport TV+”.
Ronaldo në elitën e futbollit të Arabisë ka shënuar nëntë gola në tetë paraqitje. Mori ftesë nga përzgjedhësi i ri, Roberto Martinez, dhe do të jetë kapiten sërish për kampanjën kualifikuese “Euro 2024”, kundër Lihtenshtajnit dhe Luksemburgut.