Portieri argjentinas Sergio Romero është përforcimi më i ri i skuadrës nga Serie A, Venezias.
Klubi italian e ka prezantuar Romeron të martën dhe ka bërë të ditur se portieri ka firmosur kontratë deri në fund të këtij edicioni. Romero te Venezia është transferuar si lojtar i lirë pasi muaj më parë ka shkëputur kontratën me Manchester Unitedin.
“Venezia bën të ditur se Sergio Romero i është bashkuar klubit si transferim i lirë. Romero është lojtari me më së shumti paraqitje te Argjentina dhe së fundi ka qenë pjesë e Manchester Unitedit”, thuhet në njoftimin e Venezias.
Romero 34-vjeçar ka 96 paraqitje me Argjentinën kurse karrierë në nivel klubesh ka bërë edhe te Sampdoria, Monaco, AZ Alkmaari e Racingu. Venezia këtë sezon është rikthyer në Serie A dhe pas shtatë xhirove të zhvilluara ka tubuar pesë pikë.