Skuadra e Romës ka pësuar humbje në shtëpi në kuadër të xhiros së 26-të të Serie A. Të dielën, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Olimpico”, Roma u mposht 4:3 nga skuadra e Sassuolos.
Me këtë humbje, Roma bie në pozitën e pestë në tabelë me 47 pikë, ndërsa Sassuolo ngrihet në vendin e 12 me 33 pikë të mbledhura. Me të filluar ndeshja, Sassuolo befasoi Romën me dy gola të shpejtë, që i shënoi Armand Lauriente.
Ai realizoi në minutën e 13-të për ta zhbllokuar rezultatin, ndërsa pesë minuta më vonë e dyfishoi atë me golin e tij të dytë personal. Roma u kundërpërgjigj nëpërmjet Nicola Zalewskit në minutën e 26-të për ta ngushtuar epërsinë, por në minutën e katërt të kohës shtesë, Sassuolo ktheu epërsinë e dy golave nëpërmjet Domenico Berardit që realizoi nga penalltia.
Një minutë më herët, mbrojtësi i Shqipërisë, Marash Kumbulla u ndëshkua direkt me karton të kuq për sjellje josportive.
Në pjesën e dytë, Roma shënoi dy gola por nuk arriti ta shmangë humbjen, pasi Sassuolos i mjaftoi një gol në këto 45 minuta për pikët e plota. Për Romën, realizuan Paulo Dybala (51’) e Giorgionio Wijnaldum (94’), ndërsa për Sassuolon shënoi Andrea Pinamonti (75’). Te Sassuolo prej minutës së 77-të u inkuadrua në lojë edhe Nedim Bajrami.