Sport

Roberto Carlos do të paraqitet për ekipin e një bari anglez

Goli i jashtëzakonshëm i Roberto Carlosit me fanellën e Brazilit kundër Francës, në vitin 1997, është një prej golave më të mirë në historinë e futbollit. Kështu që nuk është aspak çudi që tek ekipi i një bari në Shropshire mezi kanë besuar kur kanë kuptuar se fituesi i Kupës së Botës, braziliani Carlos, do të luajë për ta në një ndeshje të Ligës së të Dielës.

Ekipi me emrin “The Bull In The Barne” i ka fituar shërbimet e Carlosit, tani 48-vjeçar, në një “lotari të transferimeve” në eBay dhe kjo do të thotë se braziliani do të paraqitet si rezervist në njërën prej ndeshjeve të ekipit që i luan në kuadër të rrethit të Shrewsburyt në muajin shkurt.

“Ju paguani 5 funte për t’u futur në lotarinë e transferimeve që ta jep mundësinë për të angazhuar një profesionist në ekipin tuaj. Njëri prej ekipit tonë vetëm ka paguar sa për ta provuar fatin edhe ne dolëm fitues. Edhe diçka e pabesueshme”, tha Matthew Brown, sulmues dhe sekretar i klubit.

“Të premten mbrëma trajner ynë, Ed Speller, na e dërgoi një mesazh se kemi fituar në lotari por askush nuk i besonte. Të gjithë ishim të bindur se po bën shaka. Mirëpo të shtunën, kur u zgjova në mëngjes i pashë mesazhet që njerëzit i kishin dërguar për Roberto Carlosin dhe aty e kuptova se ishte e vërtetë”.

Krahas titullit të botës me Brazilin në vitin 2002, Carlosi gjatë karrierës së tij ka fituar edhe tre trofe të Ligës së Kampionëve dhe katër tituj kampioni të La Ligas me fanellën e Real Madridit.

Ai karrierën aktive e mbylli në vitin 2015, pas një përvojë në Superligën e Indisë ku ishte lojtar dhe trajner te skuadra Delhi Dynamos.

Por a do të ketë kushte ekipi i barit anglez për ta akomoduar Carlosin duke pasur parasysh se ai mbetet njëri prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror?

Tek ekipi “The Bull In The Barne” besojnë se Carlos do të mund të përshtatet në kushtet që i posedojnë duke pasur parasysh se do të paraqitet vetëm në një ndeshje.

“Ne luajmë në një fushë ngjitur me palestrën. Zhveshtorja është e duhura për kushtet e Ligës së të Dielës. Mund të them se jam kushtet elementare ndonëse disa prej dusheve nuk punojnë”, tregoi Brown. “Ka gjasa që për ndeshjen kur do të luajë Carlosi të zhvendosemi diku tjetër për shkak se parkingu është i vogël dhe ne besojmë se do të ketë shumë shikues. Ne zakonisht në tribuna i kemi anëtarët e familjes, por për ndeshjen me Carlosin besojmë se numri do të jetë i madh”.

Shumica e lojtarëve të ekipit “Bull In The Barne” janë të moshës së njëjtë dhe janë rritur duke e shikuar Carlosin si futbollist. Braziliani ishte fantastik në krahun e majtë të mbrojtjes.

“Carlosi pa dyshim se është mbrojtësi i majtë më i mirë që bota e ka parë ndonjëherë. Ardhja e tij do t’i motivojë edhe lojtarët e tjerë të ekipit, të cilët nuk do të mungojnë në stërvitje pasi do të përpiqen ta bindin trajnerin se meritojnë të luajnë në atë ndeshje që do të paraqitet Carlosi”, u shpreh Brown.

Edhe komunikimi i Carlosit me bashkëlojtarët e rinj nuk do të duhej të ishte problem.

“Mendoj se ai di të flasë gjuhën angleze pasi ‘eBay’ i ka lëshuar disa video të tij dhe besoj se nuk do të kemi problem për të folur mes vete”, tha Brown, që shtoi se ka gjasa që Carlos mund të mos i ketë përsipër goditjet e dënimit pasi në ekip ka lojtarë që janë shumë të mirë.