Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rikthimi i ish-futbollistit të Kosovës pesë vjet pas pensionimit

Kujtim Bala u pensionua nga futbolli aktiv në vitin 2017, por tani skuadra elitare e Suedisë, Varbergsi, dëshiron që ta ketë në ekip sërish 32-vjeçarin.

Sipas mediumit suedez “Halland”, ai është duke stërvitur me skuadrën e Varbergsit, teksa ka zhvilluar edhe një ndeshje me ekipin U21 të martën. Vetë Bala ka pranuar se është i gatshëm të rikthehet në fushë pas pesë vjetësh.

“Kemi diskutuar me trajnerin e Varbergsit, Jocke Persson. Jemi në një situatë ku nëpërmjet futbollit dëshirojmë që t’i kthejmë gjërat në rrugë të duhur. Ai po mendon që unë t’i jap edhe një shans tjetër trupit tim”, ka thënë Bala të mërkurën.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse ai do të jetë në gjendje të përgatitet dhe të jetë i gatshëm ta ndihmojë Varbergsin.

“Kemi rënë dakord që të mos rrezikojmë. Do të marrë kohë ditë pas dite dhe të shohim se si reagon trupi im. Kam bërë tri seanca stërvitore dhe kam luajtur 30 minuta. Për momentin ndihem mirë, por do ta shohim zhvillimin e trupit në ditët në vijim”, është shprehur Bala.

Vendimi i Balajt në vitin 2017 për t’u tërhequr nga futbolli aktiv ishte bërë me qëllim që ai të ishte aktiv jashtë futbollit. 32-vjeçari, që karrierë ka bërë si futbollist i krahut të majtë, u bë drejtor sportiv te Varbergsi, por nuk pati shumë suksese. Një vit më vonë, në vitin 2019, ai e provoi punën si drejtor sportiv edhe te Jonkoping Sodra, por edhe ajo periudhë ishte e pasuksesshme. U largua në verën e vitit 2020. Bala ka zhvilluar 153 ndeshje në të gjitha garat në karrierën e tij. Ka pesë gola të shënuar e 17 asistime. Më shumë paraqitje ka në rangun e dytë të futbollit suedez. Është paraqitur në 117 ndeshje, ndërsa kishte kontribuuar me katër gola e 16 asistime. Në elitën e futbollit të Suedisë “Allsvenskan”, ka zhvilluar 21 paraqitje dhe ka kontribuuar me një gol. Ai kishte debutuar në “Allsvenskan” si 19-vjeçar, më 13 korrik të vitit 2009.

“Hyra në lojë kur skuadra ishte duke fituar 1:0 dhe nuk ndjeva presion. Doja t’i tregoja vlerat e mia. E dija se do të hyja loja, por dallimi është shumë i madh me ekipin e dytë dhe me U21. Ajo që unë ndiej tani është se dua të stërvitem edhe më shumë në të ardhmen”, kishte thënë Bala.

Edhe Fazliji: Jam i lumtur që jam kthyer te Kosova Futboll Fazliji: Jam i lumtur që jam kthyer te Kosova

Tani futbollisti i krahut synon të ketë rikthim të suksesshëm. Bala e ka edhe një ndeshje të luajtur me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ishte ndeshje miqësore e vitit 2010, kundër skuadrës së tij të atëhershme, Halmstadsit. Ndeshja përfundoi me rezultatin 4:4, ndërsa një gol për Kosovën e kishte shënuar pikërisht Bala. Kapiten i Kosovës në atë kohë ishte Anel Rashkaj, që ishte bashkëlojtar i Balës te Halmstadsi.

Në atë kohë, Bala vlerësohej shumë në Suedi. Luante vazhdimisht me skuadrën e tij, por me Kosovën i pati në dispozicion vetëm 30 minuta.

“Pata vetëm 30 minuta, por ishte gjë e këndshme. Pati shumë aksione në ato minuta, shumë dëshirë dhe shumë emocione. Ka emocione të shumta kur vrapon me fanellën e shtetit që përfaqëson”, kishte thënë Bala pas atij takimi.