Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rezervisti i Gjilanit udhëton për t'u përballur me Argjentinën

Dy reprezentues ka dhënë Superliga e Kosovës në futboll për ndeshjet e këtij muaji të përfaqësueseve.

Njëri është Visar Bekaj, portieri i Prishtinës që është i vetmi nga Superliga i ftuar në përfaqësuese të Kosovës. Tjetri është Wilber Perez, sulmuesi që më 10 gusht iu bashkua Gjilanit, shkruan sot Koha Ditore.

Perez 29-vjeçar është ftuar nga përfaqësuesja e Guatemalës për ndeshjet miqësore me Argjentinën dhe Ekuadorin. Ndonëse Perez te Gjilani është vetëm rezervist, ai pritet që më 8 shtator në Los Angeles të SHBA-së të jetë në fushë përballë yjeve të Argjentinës.

Te Argjentina nuk është grumbulluar Lionel Messi, por kjo përfaqësuese ka lojtarë të tjerë të mëdhenj si për shembull Paulo Dybalan e Mauro Icardin.

Perez është një prej tre legjionarëve në përfaqësuesen e Guatemalës. Një lojtar i kësaj përfaqësuese luan në SHBA e një në Kolumbi. Të tjerët janë pjesë e kampionatit vendor. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).